Në një dalje për mediat, kryetari i Partisë së Lirisë (PL), Ilir Meta, nuk i ka kursyer akuzat dhe sulmet ndaj Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe kreut të saj Altin Dumani, duke thënë që SPAK ka si qëllim asimilimin e pluralizmit politik duke vënë theksin tek deklarata e Dumanit “S’ka nevojë gjykata të na pyesë sepse vendosim ne!”.
Meta tha se kjo deklaratë vinte direkt nga kreu i SPAK dhe jo nga një kopje e tij e shpikur nga Berisha.
“Ky është zoti Dumani. Mbetet që ai është zoti Dumani dhe jo sozia e tij e shpikur nga Berisha për ta diskretituar”.
Ish-presidenti, me deklaratën e Dumanit iu përgjigj edhe akuzave të ndërkombëtarëve, të cilët jo pak herë e kanë kritikuar për gjuhën dhe sulmet e bëra ndaj Prokurorisë së Posaçme.
“Jam i bindur që ndërkombëtarët që kanë bërë deklarata, mund të kenë mundësinë t’i shikojnë se çfarë ka thënë Dumani. Ata bëjnë mirë, që nëse iu është kërkuar ndihmë nga buburrecat e Edi Ramës, apo kryebuburreci në drejtësi, kjo nuk na habit se deklarata të tilla kanë bërë dhe disa miq të McGonigal që merrnin lekë dhe puse nate nga Rama”.
Nëse në vendet e tyre, vijoi Meta, Prokuroria është mbi Gjykatat, “mund të themi që na vjen keq për vendet tuaja”.
Kreu i PL-së, pas pyetjes së gazetarëve nëse ka informacion për ndonjë arrestim ndaj tij, deklaroi se nuk ka frikë dhe se Dumani “shpreson të kapë ndonjë laraskë, dhe lëshon buburrecat”
“Ilir Meta është burrë dhe nuk trembet. Rrethimi i vogël ndaj Ilir Metës ka përfunduar. Rrethimi i madh ndaj Rilindjes së torollakut ka nisur”.
Meta akuzon Qeverinë Rama dhe SPAK se kanë si qëllim të asgjesojnë pluralizmin politik në Shqipëri.
“Shpresat e asgjësimit të pluralizmit politik të Berishës dhe rrethimit të Metës, janë të mbaruara”.

Në lidhje me konfliktet partiake me bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi, Meta tha se nuk është një skemë për të marrë klikime apo për të bërë lojë, pasi çdo gjë është e hapur.
“Të gjitha këto ndryshime që po bën Ilir Meta dhe nga PL, nuk ka asnjë lojë. Ose loja është e hapur. Unë Ilir Meta, kandidat për president të PL, kam një program të qartë me 5 prioritete për 4 mln shqiptarë plus”.
Ish-presidenti Meta u ndal edhe tek kryetari i Partisë Demokratike (PD) Lulzim Basha, për të cilin tha se është i kapur nga Rama dhe “Mcgonigalët e tij”.
“Basha gënjen edhe për orën, kjo është provuar botërisht. Djegia e mandateve është një shërbim që ia ka bërë Basha Ramës, kjo është e vërtetuar. Ju kam thënë se Basha, me vetëdije të plotë i kapur nga Rama dhe Mcgonigalët e tij, që të linte bashkitë, është e vërtetuar”, tha Meta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



