Para

Bankat në Shqipëri lehtësuan huamarrjet, por janë ‘të frikësuara’ nga tregu imobiliar

Nga Gazeta ‘SI’ – Bankat tregtare në Shqipëri lehtësuan kreditimin për individët gjatë tre muajve të parë të 2024-s, pasi kanë qenë më tolerante për marrjen përsipër të riskut.

Kërkesa raportohet e lartë për kredi konsumi, financimi dhe për blerje banese. Bankat shprehen se për këtë të fundit ka patur një shtrëngim të kushteve të kreditimit, për shkak të zhvillimeve që priten në tregun imobiliar dhe normat e interesit. Ky është tremujori i tretë radhazi që bankat tregtare tentojnë të ulin financimin e tregut imobiliar përballe rritjes së pajustifikueshme të çmimeve.

Hezitimi vjen dhe nga urdhri i Bankës së Shqipërisë që me anë të një rregulloreje vendosi kufizime për kreditimin e këtij sektori në masë dhe në vlerë. Ndonëse BSH nuk ka patur një qëndrim, raporte ndërkombëtare e cilësojnë tregun e pasurive të patundshme në Shqipëri si lavatriçe të parave të pista.

Standardet e kreditimit për bizneset mbetën të pandryshuara në tremujorin e parë të vitit 2024, thuhet në vrojtimin e aktivitetit kreditues të Bankës së Shqipërisë.

Sipas madhësisë së biznesit, standardet u lehtësuan disi për bizneset e vogla e të mesme, që përbëjnë dhe segmentin me numrin më të madh të sipërmarrjeve, ndërkohë që mbetën të pandryshuara për bizneset e mëdha. Lehtësimi i kritereve të kreditimit për bizneset në tremujorin e parë të këtij viti u arrit nga kostot dhe kufizimet më të ulëta nga bilanci.

Ndërkohë mosndryshimi i standardeve për bizneset e mëdha u ndikua veçanërisht nga perceptimi i bankave për rrezik të shtuar lidhur me situatën ekonomike e perspektivën për të, aftësinë paguese të kredimarrësit, apo mbi kolateralin e kërkuar. Po ashtu, edhe toleranca më e ulët e bankave ndaj rrezikut ishte faktor i rëndësishëm në mosndryshimin standardeve të kreditimit për bizneset e mëdha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë