Para

‘Torta’ e PBB-së / Punonjësit në Shqipëri marrin më pak se gjysmën. Nga 2011-a, pabarazia është thelluar

Nga Gazeta ‘SI’ – Punonjësit europianë sa vjen dhe marrin gjithmonë më pak pjesë nga torta e Produktit të Brendshëm Bruto.

Sipas shifrave që ofron ILO, Organizata Ndërkombëtare e Punës, në të gjithë Europën, torta për klasën e punonjësve vetëm po ‘konsumohet’.

Në këtë listë, Shqipëria renditet në 10-shen e fundit, ku fuqia punëtore merr mbrapsht vetëm 47.5% të PBB-së së vendit, duke treguar pabarazinë në shpërndarjen e të ardhurave. Mesatarja e BE-së për këtë tregues ështës 57%.

Pabarazia në Shqipëri është rritur krahasuar me 2011-në, ku sipas ILO-s, punonjësit merrnin rreth 49% të PBB-së. Analiza shpjegon se këto shifra tregojnë se të mirat i rezervohen shtresave me të ardhura mbi mesataren.

Gjithsesi raporti nuk tregon zhvillime pozitive as për vendet e tjera. Zvicra që mban vendin e parë ka një raport prej 70.5%. Pjesa e të ardhurave nga puna ishte më e lartë se mesatarja e BE-së në katër fuqitë e mëdha të BE-së, përkatësisht në Gjermani (61.4%), Francë (59.8%), Spanjë (59.1%) dhe Itali (58%).

Vlerësimet e ILO-s, të cilat nisin nga viti 2004, tregojnë një tendencë rënëse në Europë. Në BE, pjesa e të ardhurave nga puna si përqindje e PBB-së ishte 58.9% në 2004 dhe arriti kulmin e saj në 60% në 2009. Ky raport ra në 57% në 2021, që është shifra më e ulët që nga viti 2004.

Përcaktuar nga ILO, pjesa e të ardhurave nga puna në PBB është raporti, në përqindje, ndërmjet të ardhurave totale të punës dhe PBB-së, të dyja të dhëna në terma nominalë. Të ardhurat nga puna përfshijnë kompensimin e punonjësve dhe një pjesë të të ardhurave të të vetëpunësuarve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë