Një ish-oficer policie nga Shqipëria është ndaluar për kultivimin e qindra bimëve kanabis në një njësi industriale në West Lothian, Angli.
24-vjeçari Igli Duka, u arrestua pasi policia bastisi një magazinë në Houston Industrial Estate, në Livingston, vitin e kaluar.
Duka pretendoi se një kriminel me emër që ai kishte arrestuar më parë në vendin e tij e kishte shantazhuar për t’u bërë “kopshtar” për fermën e kanabisit.
Duka tha se krimineli i kishte kërcënuar familjen e tij pasi kishte dalë nga paraburgimi i policisë.
Avokati i 24-vjeçarit, Andy Aitken, pretendoi se anëtari i “rangut të lartë” të bandës kishte dhënë ryshfet për të dalë nga paraburgimi.
Avokati i tha Gjykatës se anëtari i bandës i kishte kërkuar ish-policit 50 mijë paund që kishte paguar për lirinë e tij.
Aitken tha se Duka ishte arratisur në Britani të Madhe nga frika për sigurinë e tij dhe kishte gjetur punë në një kantier ndërtimi në Birmingham.
Familja e tij iku në Greqi, por babai i tij u detyrua të kthehej në Shqipëri për shkak të problemeve shëndetësore.
Por, ai pretendoi se banda gjeti të atin, të cilin e detyruan të tregonte vendndodhjen e Dukës.
Operacion i madh
Dukës iu dha zgjedhja që të kujdesej për fermën e kanabisit ose të përballej me pasoja të rënda ndaj familjes së tij në Shqipëri, tha Aitken në gjykatë.
“Ai ka pasur mundësi në shumë raste të shkojë në polici por nuk e ka bërë. Kjo, sepse Duka ka bindjen se policia në Mbretërinë e Bashkuar nuk do të jetë në gjendje të ndihmojë për sigurinë e familjes së tij në Shqipëri.”
Aitken argumentoi se klienti i tij nuk ishte i përfshirë në organizimin e këtij operacioni, ai nuk ishte i përfshirë në asnjë plan për shpërndarje të vazhdueshme dhe, më e rëndësishmja, ai nuk fitoi para ose ndonjë përfitim në lidhje me përfshirjen e tij në këtë krim.
Duka, i burgosur në HMP Addiewell, u shpall fajtor për prodhimin e drogës së klasit B.
Sherifi Peter Hammond theksoi se Duka kishte hyrë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar dhe vuri në dukje se, duke qenë se Ministria e Brendshme ishte në dijeni të situatës së tij, ai do përballej me dëbimin.
Duka u dënua me dy vjet burg, duke filluar që nga data 22 shtator 2023, kur ai u ndalua për herë të parë në paraburgim
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



