Shkrimtarja Rita Petro është një prej 13 kandidatëve të këtij viti për Çmimin e Bashkimit Evropian për Letërsinë (EUPL). Petro garon në këtë edicion me romanin “Lindur së prapthi”.
Ky çmim i themeluar në vitin 2009, është një çmim letrar i Bashkimit Evropian. Qëllimi i tij është të njohë shkrimtarët nga e gjithë Evropa, të promovojë qarkullimin dhe përkthimin e letërsisë midis vendeve evropiane dhe të nxjerrë në pah krijimtarinë dhe diversitetin e kontinentit.
Fituesit e çmimit promovohen në të gjithë Evropën dhe më gjerë, në internet, librari si dhe në panairet e librit.
Disa prej shkrimtarëve shqiptarë që janë vlerësuar nga EUPL janë: Ben Blushi për “Otello, Arapi i Vlorës”, Rudi Erebara për “Epika e yjeve të mëngjesit”, Tom Kuka për “Flama” (Tom Kuka është pseudonimi letrar i gazetarit Enkel Demi), Shpëtim Selmani për “Libërthi i dashurisë” dhe Ag Apolloni me “Kësulëkuqja, përrallë për të rritur”.
Çdo vit, juritë kombëtare të përbëra nga ekspertë në fushat e letërsisë, botimit dhe shitjes së librave krijohen në një të tretën e vendeve pjesëmarrëse në programin e Evropës Krijuese. Pasi vendosin për një listë të ngushtë prej 2 deri në 5 librash nga shkrimtarët më premtues të vendit të tyre, secila juri zgjedh fituesin e saj kombëtar.
Çdo laureat i EUPL-së merr 5000 € dhe librit të tij i jepet mbështetje për përkthim si dhe promovim. Një antologji EUPL botohet gjithashtu çdo vit, e cila përmban fragmente nga librat e vlerësuar të të gjithë laureatëve si në gjuhën origjinale, ashtu edhe në një përkthim anglisht ose frëngjisht. (ATA)
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.