Mjedis

Çfarë është ‘mbjellja’ e reve dhe a ishte shkaku i përmbytjeve në Dubai?

Dubai është goditur nga përmbytje rekord gjatë dy ditëve të fundit, duke ndezur spekulime për “mbjelljen” e reve. Sa të pazakonta ishin reshjet e shiut në Dubai dhe cilat ishin arsyet e reshjeve ekstreme?

Dubai ndodhet në bregdetin e Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) dhe zakonisht është shumë i thatë. Por gjithsesi përjeton rrebeshe të herëpashershme ekstreme.

Në qytetin Al-Ain, pak më shumë se 100 km nga Dubai, rreth 256 mm shi u regjistruan në vetëm 24 orë.

"Kjo pjesë e botës karakterizohet nga periudha të gjata pa shi dhe më pas reshje të parregullta, të dendura, por edhe reshjet e këtyre ditëve ishin të rralla”, shpjegon Maarten Ambaum, meteorolog.

Çfarë roli luajti ndryshimi i klimës?

Nuk është ende e mundur të përcaktohet saktësisht se sa rol ka luajtur ndryshimi i klimës. Kjo kërkon një analizë të plotë shkencore të faktorëve natyrorë dhe njerëzorë, e cila mund të zgjasë disa muaj.

Por rekordi i reshjeve është në përputhje me mënyrën se si po ndryshon klima. E thënë thjesht: ajri më i ngrohtë mund të mbajë më shumë lagështi, rreth 7% shtesë për çdo gradë Celsius, gjë që mund të rrisë intensitetin e shiut.

"Intensiteti i shiut ishte rekord, por kjo është në përputhje me një klimë ngrohëse, me më shumë lagështi të disponueshme për të nxitur stuhitë dhe për t'i bërë ngjarjet e reshjeve të dendura dhe përmbytjet në mënyrë progresive më të fuqishme," shpjegon Richard Allan, profesor në shkencat klimatike.

Një studim i fundit sugjeroi se reshjet vjetore mund të rriten deri në rreth 30% në pjesën më të madhe të Emiratet e Bashkuara Arabe deri në fund të shekullit, ndërsa bota vazhdon të ngrohet.

"Nëse njerëzit vazhdojnë të djegin naftë, gaz dhe qymyr, klima do të vazhdojë të ngrohet, reshjet do të vazhdojnë të rëndohen dhe njerëzit do të vazhdojnë të humbasin jetën nga përmbytjet," thotë Dr Friederike Otto, pedagoge në shkencën e klimës.

Çfarë është mbjellja e reve dhe a ka luajtur një rol?

Mbjellja e reve përfshin manipulimin e reve ekzistuese për të ndihmuar në prodhimin e më shumë reshje shiu.

Kjo mund të bëhet duke përdorur avionë për të hedhur grimca të vogla (si jodidi argjendi) në re. Avujt e ujit më pas mund të kondensohen më lehtë dhe të kthehen në shi.

Teknika ka ekzistuar për dekada dhe Emiratet e Bashkuara Arabe e kanë përdorur atë vitet e fundit për të ndihmuar në adresimin e mungesës së ujit. Në orët që pasuan përmbytjet, disa përdorues të mediave sociale nxituan t'ia atribuojnë gabimisht motin ekstrem vetëm operacioneve të fundit të mbjelljes së reve në vend.

Raportet treguan se avionët e mbjelljes së reve u vendosën të dielën dhe të hënën, por jo të martën, kur ndodhi përmbytja. Ndërsa BBC nuk ka qenë në gjendje të verifikojë në mënyrë të pavarur se kur ka ndodhur mbjellja e reve, ekspertët thonë se në rastin më të mirë do të kishte pasur një efekt të vogël në stuhi dhe se fokusimi në mbjelljen e reve është "mashtrues".

Burimi: BBC. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë