Kosova

Clinton kujton vizitën në kampet e refugjatëve në vitin ’99: Mbështes progresin e arritur në Kosovë

Ish-sekretarja e Shtetit në Shtetet e Bashkuara, Hillary Clinton, në një lidhje virtuale, foli në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë që po mbahet në Prishtinë, ku çmoi rrugëtimin e Kosovës në aspektin e barazisë gjinore, veçanërisht përfaqësimin dy herë nga presidente gra.

“Në dekadat prej kur Kosova është bërë shtet i pavarur, aktivistet kanë siguruar progres kuptimplotë për të siguruar barazinë gjinore në sektorin publik dhe politik. Pas shumë vitesh ja keni dalë që të siguroni për viktimat e dhunës seksuale, keni zgjedhur presidenten e parë dhe tani të dytën që janë të përkushtuara për ruajtjen dhe forcimin e paqes, zgjerimin e mundësive ekonomike dhe duke dëshmuar që bashkëpunimi sjellë më shumë rezultat”, ka thënë ajo.

Duke kujtuar vizitën vizitën e saj në kampet e refugjatëve në Maqedoni në 1999, gjatë luftës në Kosovë, Clinton bëri thirrje për mbështetjen e vizionit të grave për ndërtimin e një të ardhme të ndritshme.

“Jam e gatshme të bashkohem në këtë kauzë. Më kujtohet mirë vizita që kam bërë në kampet e refugjatëve në Maqedoni. Pas kësaj vizite ne bëmë thirrje që NATO që të ndalë këtë spastrim etnik. Si sekretare e Shtetit unë kam përcjellë e mbështetur progresin që është arritur”.

Në fjalën e saj në forum,  Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, vuri theksin tek drejtësia për gratë duke deklaruar që “rrugëtimi i grave në Kosovë nuk ka qënë i lëhtë”.

“Jemi bërë bashkë për dhunën që flitet për konfliktet, gratë e vajzat preken më së shumti. Ndërsa jemi bërë bashkë për t’i diskutuar këto çështje, ndjej inspirim të thellë nga gratë e Kosovës”.

I pranishëm ishte dhe Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili në deklaratën e tij nënvizoi konfliktet në rajonin e Ballkanit dhe se peshën kryesore të këtyre konflikteve e kanë mbajtur gratë.

“Këto konfliktet na shërbejnë si një kujtesë e dhimbshme të çmimit aq të shtrenjtë të paguar veçanërisht të paguar nga gratë. Jemi bërë bashkë për të ritheksuar përkushtimin ndaj bashkëpunimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm për të nxitur paqen në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë ai.

Ky është edicioni i dytë i Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i organizuar nga presidentja Vjosa Osmani, i cili ka filluar sot në Kosovë dhe do të zgjasë për dy ditë rresht.

Ky edicion pritet të ketë pjesëmarrës nga më shumë se 40 shtete të botës me afro 1 mijë përfaqësues, me qëllim diskutimin dhe bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe paqes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë