Kosova

Vrasja e 21-vjeçares nga ish-bashkëshorti/ Drejtoresha e Qendrës në Ferizaj tregon si ndodhi: Mosmarrëveshje mbi mbajtjen e fëmijës

Nga Gazeta ‘Si’- Gruaja që u vra në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj dyshohet se u qëllua për vdekje nga ish-bashkëshorti i saj për shkak të disa mosmarrëveshjeve mbi fëmijën e tyre.

Drejtoresha për Punë Sociale në Ferizaj, Adelina Rexhepi-Braha, ka sqaruar se gjithçka ndodhi pasi ish-bashkëshorti e kishte kthyer djalin e tyre në Qendrën për Punë Sociale, ku ishte e strehuar tashmë viktima.

Ajo ka deklaruar se viktima e cila kishte nën kujdestari fëmijën, e ka dërguar atë në Qendër në orën 13:00 që ai të takonte babain e tij, sipas një marrëveshje të nënshkruar që kishin bërë pas ndarjes.

“Ish-bashkëshorti e ka vrarë. Kontaktin e kanë pas me marrëveshje. Nëna e ka fëmijën edhe e ka pru fëmijën në orën 13:00 në qendër që me realizu kontaktin me babën e tij.  Djalin e ka marrë babai e ka dërgu në familje të vet, në shtëpi dhe pastaj e ka rikthyer në qendër”, tha ajo.

Sipas saj, vrasja ndodhi pas disa mosmarrëveshjeve ndërmjet ish- çiftit bashkëshortor.

“Ka bisedu me menaxheren e rastit të tyre. I ka treguar që është duke pas probleme me ish – bashkëshorten, diskutime të çiftit që ndodhin zakonisht. Edhe ai ka shkuar prapë në shtëpi, sepse në orën 15:00 ka pas me rikthy djalin në Qendër për Punë Sociale që me e mbajt nëna.

Kur ka dalë ai poshtë, ka takuar ish-bashkëshorten e tij dhe të dy bashkë, kanë ardhur në Qendrën për Punë Sociale dhe aty kanë fillu me bërtit, me e fye ish-bashkëshortja dhe ai e ka nxjerrë pistoletën dhe e ka gjuajtur. I plagosuri është vëllai i gruas”, deklaroi Rexhepi-Braha.

Ajo tha se vrasja ka ndodhur para objektit të kësaj qendre.

Në anën tjetër, mjeku kujdestar në Emergjencën Primare të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, tha se viktima ka vdekur në vend të ngjarjes, ndërsa i plagosuri është në gjendje të qëndrueshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë