Gazeta Si – Atletët fitues të medaljeve në Olimpiada do të kenë tani e tutje edhe një shpërblim financiar. Vendimi është marrë nga Shoqata Botërore e Atletikës, “World Athletics”, që do të japë 50.000 dollarë për fituesit e medaljeve të arta.
Vendimi hyn në fuqi nga Lojërat Olimpike të Parisit, ku atletët e disiplinave të ndryshme do të kenë tashmë një motiv më shumë për të dhënë gjithçka nga vetja.
Shqipërinë do ta përfaqësojë në Paris 2024 atletja Luiza Gega, e cila specialitetin e saj ka garën e 3000 metrave me pengesa. Ajo është një nga dy sportistët që deri tani kanë siguruar pjesëmarrjen në Olimpiadë, bashkë me mundësin Zelimkhan Abakarov. Gega ka bërë paraqitje shumë të mira, por në Olimpiadë vështirësia është shumë e madhe, sepse marrin pjesë atletet më të forta të botës.
“Shpërblimi i atletëve dhe atleteve që ngjiten në shkallën më të lartë të podit në Lojërat Olimpike është një moment kyç për atletikën si disiplinë. Ky hap tregon qartë angazhimin tonë për të fuqizuar atletët dhe rolin e tyre kyç në suksesin e Lojërave Olimpike”, - ka thënë presidenti i Shoqatës Botërore të Atletikës, Sebastian Coe.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.