Politike

Noka: Arrestimi i Ervin Muçës u bë për të shpëtuar Taulant Ballën, çështja duhet t’i kalojë SPAK-ut

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së së Rithemelimit, Flamur Noka, ka reaguar ndaj masës së pezullimit nga puna dhe ‘arrestit në shtëpi’ për Ervin Muçën, drejtori i IT në Policinë e Shtetit.

“Ervin Muça u arrestua, jo se prokurorët nuk i kishin faktet, por se arrestimi i tij duhet bërë për të shpëtuar shefin e tij, Taulant Ballën. Nëse Tusha është ‘kokë turku’ për Veliajn dhe Ahmetaj për Ramën, Ervin Muça shërben si i tillë për Taulant Ballën. Ervin Muça ka ardhur në krye të Departamentit IT në Policinë e Shtetit disa ditë para emërimit Ministër i Brendshëm të Taulant Ballës. Sipas denoncimit të ekspertit të IT Gent Progni, Muça sapo erdhi, urdhëroi verbalisht punonjësit e databazës dhe serverave të kryejnë eksportim të bazës së të dhënave të TIMS, në një hard-disk të jashtëm, përfshirë këtu hyrje-daljet e personave, dokumentet biometrike, gjeneralitetet, ngjarjet kriminale dhe jo kriminale, aksionet e policisë, dosjet hetimore, lista terroristësh, gjobat e makinave, informacion territorial sekret, etj. Refuzimit të punonjësve, Muça, në stil tipik mafioz, i gjeti zgjidhjen duke marrë një kompani nga jashtë të quajtur Soft Solution dhe bëri eksportimin ilegal të të dhënave”, tha Flamur Noka.

Më tej ai nënvizoi: “Grabitësit e TIMS, me ‘porosi nga lart’, janë paraqitur si punonjës IT të QKB dhe të një kompanie tjetër të quajtur Horizon, me lidhje të dyshimta në Qipro, një parajsë fiskale.

Kjo grabitje e të dhënave sensitive policore nga një person në atë kohë pa certifikatë sigurie dhe i pavetuar, pavarësisht denoncimeve të PD dhe ekspertëve, ra në vesh të shurdhër. Një vit më vonë ka ardhur urdhër-arresti kur në fakt, bashkë me të duhet të ishte sponsori dhe shefi i tij në krim, Taulant Balla”.

Sipas Nokës, vepra e kryer prej Ervin Muçës është qartësisht nën juridiksionin e SPAK.

“Jo vetëm si përfshirje e lartë shtetërore, por edhe për objektin e hetimit, që janë të dhënat sensitive të sigurisë kombëtare”, shtoi ai


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë