Gazeta Si – GJKKO vendosi këtë të martë të administrojë procesverbalin e dëshmisë së ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm Luan Hoxha në gjyqin ku ish ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu është marrë i pandehur për akuzën e shpërdorimit të detyrës për tragjedinë e Gërdecit.
Vetë Mediu e kundërshtoi, duke kërkuar një video-dëshmi me të. Jashtë ambienteve të GJKKO-së, ai tha se është qartësisht tentativë për të mos e marrë në pyetje.
Për Luan Hoxhën, u vendos të administroheshin dëshmitë e dhëna më datë 17.02.2009 si person i pandehur.
LEXO EDHE:
‘Gërdeci’ / Shtyhet seanca për ish-ministrin Fatmir Mediu. Mihal Delijorgji refuzon të dëshmojë
Ndërkohë nga avokatët e Mediut dhe nga avokati i viktimave u këmbëngul që Luan Hoxha të pyetet me letërporosi ose përmes video konferencës.
Por, sipas prokurorit kjo gjë është e pamundur pasi nuk ka një adresë të saktë të vendndodhjes së tij në SHBA.
Mediu ka kërkuar që ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-ve, Luan Shehu të japë sa më parë dëshminë e tij, edhe pse ndodhet në SHBA.
“Duket qartësisht se ata që janë dëshmitarë kryesorë nuk kanë pranuar të pyeten. Shefi i shtabit duhet patjetër të japë përgjigje disa pyetjeve për të hedhur dritë mbi ngjarjen. Nuk është kaq e vështirë për të gjetur adresën e një qytetari në SHBA”, tha Mediu për gazetarët.
Edhe në këtë seancë, nuk u paraqit Anjola Agolli, ish-Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Drejtësisë, në kohën kur ministër ishte Aldo Bumçi.
Familjarët e kësaj të fundit kanë thënë se ajo ishte jashtë Shqipërisë. Prokuroria e Posaçme ka kryer verifikimet në sistemin TIMS dhe del se Agolli ndodhej në Shqipëri dhe është kërkuar gjetja e kësaj të fundit, për një fax të kohës, që kishte një mbishkrim, ku thuhej: “Për Shkëlzen Berishën”.
Seanca e radhës do të mbahet më 24 prill, ora 12:00, ndërsa Mediu tha se dëshmitarët u thirrën formalisht, ndërsa deklaroi se prokuroria duhet të provojë përgjegjësinë e ministrit.
“Dua të theksoj se ashtu siç u procedua me pjesën më të madhe të dëshmitarëve që u sollën formalisht, edhe sot në paraqitjen e provave shkresore, prokuroria bie atë volum shkresash pa përcaktuar qartë përgjegjësitë e ministrit në shpërdorimin e detyrës”.
Mediu ka kërkuar edhe në herë të kuptojë se ku qëndron përgjegjësia e ministrit për tragjedinë me 26 viktima në mars 2008.
“U tha se ishte salduar një karrocë. I kërkuam prokurorisë që të na thotë se ku është përgjegjësia e ministrit në kuadër të shpërdorimit të detyrës. Nëse nuk hyhet në thelb të së vërtetës, mendoj se është një proces që të kalohet te procesi i radhës. Sikur duan që të mbarojë seanca shpejt. Se çfarë ka ndodhur në Gërdec, njerëzit e dinë, se çfarë ka bërë ministri, atë duhet të faktojnë. Unë duhet të analizoj ekspertizën e amerikanëve. Ata kanë lënë 5 shkaqe në fuqi”.
Në seancën e kaluar të 27 marsit, u paraqit Mihal Delirogji, ish-administrator i kompanisë “Alba Demil”, por nuk pranoi të dëshmonte duke shfrytëzuar të drejtën që i jep ligji.
Ish-ministri i Mbrojtjes po hetohet për shpërdorim detyre në lidhje me vdekjen e 26 personave dhe plagosjen e qindra të tjerëve pas shpërthimit që ndodhi në Gërdec më 15 mars të vitit 2008.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.