Njerez

I mohohet shëndetësia / Historia e Emanuel Prengës, 24-vjeçarit që duhet të paguajë 2000 euro për kurim ‘shkon’ në parlamentin italian

Nga Gazeta Si- Emanuel Prenga është 24 vjeç dhe pas një paralize cerebrale infantile, ai është në një karrige me rrota që kur ishte fëmijë. Ai ka nevojë për kujdes të vazhdueshëm dhe në muajt e ardhshëm do t’i nënshtrohet një operacioni në këmbë.

Emanuel jeton në Itali, por është shqiptar dhe, për rrjedhojë, nga ky vit aksesi në Shërbimin Shëndetësor Kombëtar nuk është më falas.

‘La Repubblica’ shkruan se ai duhet të paguajë 2000 euro në vit, kjo është shuma që qeveria Meloni ka vendosur për të gjithë të huajt, “duke u mohuar në thelb aksesin në trajtim atyre, si Emanueli, që nuk mund ta përballojnë atë”. Më parë tarifa ishte 387 euro.

“I ardhur nga një jetimore shqiptare, djali u mirëprit në Piemonte në një nga shtëpitë familjare të Komunitetit Papa Gjon XXIII, i cili tani po ngre çështjen e tij”, shkruan La Repubblica.

Problemet e Emanuelit- shpjegojnë drejtuesit e Komunitetit, e detyrojnë atë të lëvizë me karrocë dhe të jetojë falë pensionit të invaliditetit. Deri në dhjetor 2023, ky kontribut mujor mundi t’i garantonte atij një jetë dinjitoze, duke mbuluar edhe shpenzimet e kujdesit shëndetësor. Tani ai është pa ndihmën e mjekut të përgjithshëm dhe i garantohet trajtimi urgjent vetëm përmes urgjencës.

Me vitin e ri erdhi ‘dushi i ftohtë’ për të: kur rinovoi regjistrimin në Sistemin Kombëtar të Shëndetësisë si i huaj, zbuloi se duhet të paguante mbi 2000 euro për kujdesin shëndetësor në vend të 387 eurove që paguante më parë. Kjo është shuma vjetore e kërkuar nga Shteti që nga viti 2024, që të vazhdojë ofrimin e shërbimeve shëndetësore bazë.

Situata e Emanuel Prengës dhe mijëra të huajve, nga emigrantët e deri te studentët e universitetit, të cilët nuk kanë mundësi të paguajnë 2000 euro në vit, është në qendër të një interpelance parlamentare të Partisë Demokratike të nënshkruar nga Chiara Gribaudo dhe Marco Furfaro.

‘Fatkeqësisht, me ligjin e fundit të buxhetit, qeveria ka vazhduar punën e saj për të sulmuar më të varfërit dhe për këtë arsye ka rritur kontributin vullnetar fiks, duke e bërë atë të shkojë nga 387.34 euro në vit në minimum dy mijë. Ndonëse banojnë rregullisht në Itali, nuk janë aspak në gjendje të përballojnë këto shifra. Njerëzit që janë vetëm, në varfëri apo me aftësi të kufizuara të rënda detyrohen të heqin dorë nga kujdesi shëndetësor. Për ne kjo është një situatë e patolerueshme dhe për këto arsye kemi  thirrur në interpelancë ministrin e Shëndetësisë Orazio Schillaci dhe ministren e personave me aftësisë të kufizuar Alessandra Locatelli’, thonë Gribaudo dhe Furfaro.

Çështja e tij iu paraqit së fundmi ministres së personave me aftësi të kufizuara Alessandra Locatelli, e cila po vizitonte godinën në Fossano. Kujdestari, Maurizio Bergia, anëtar i Papa Gjonit XXIII, i tregoi përfaqësuesit të qeverisë situatën e Emanuelit në të cilën, që nga fillimi i vitit 2024, janë gjetur shumë të huaj të tjerë. Shoqata i dorëzoi ministres edhe një projekt-amendament në Ligjin e Financave që parashikonte ndryshimin.

Pensioni që merr Emanueli, shpjegon Bergia, është një shifër krejtësisht e pamjaftueshme për të mbuluar nevojat e tij dhe tarifa që pritet nga ky vit për regjistrimin në shërbimin shëndetësor kombëtar është e papranueshme për financat e tij.

“Problemi ka të bëjë me perosnat që kanë disa lloje të lejeve të qëndrimit, duke përfshirë personelin fetar, studentët, të rinjtë që kanë ardhur në Itali si çift për një stazh, ata që kanë kërkuar qëndrim me si disa persona me aftësi të kufizuara apo të paaftë për punë”, sqaron Laila Simoncelli, avokate e Papa Gjonit XXIII.

Burimet: La Repubblica, La Stampa. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë