Gazeta Si – Briken Calja ka bërë një paraqitje të mirë sot në Botërorin e peshëngritjes, që po zhvillohet në Tajlandë, aktiviteti i fundit që krijon mundësinë e kualifikimit për në Lojërat Olimpike të Parisit..

Calja garoi në kategorinë deri në 73 kilogramë, në Baterinë B, ku zuri vendin e parë në dygarësh. Shtangisti shqiptar kryeson renditjen me 333 kilogramë në dygarësh.
Briken Calja kaloi me sukses të tria provat në stilin shkëputjes, duke ngritur 145, 150 dhe 152 kilogramë, që e rendisin në vend të 4-t. Në shtytje ai ngriti 181 kilogramë që në provën e parë, por humbi dy të tjerat për 185 kilogramë. Në këtë stil Calja renditet i pari, ashtu si dhe në dygarësh.

Peshëngritësi kuqezi më pas ishte në pritje të konkurrimit të baterisë A, me shpresën për të mbetur në vendet që garantojnë pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike. Shqipëria u përfaqësua në Botërorin e peshëngritjes vetëm me Biken Caljen, pasi Erkand Qerimaj u tërhoq për arsye shëndetësore.
Pas garës, Calja ka bërë një postim në faqen e tij, ku e quan fantastik rezultatin në Kupën e Botës: “Rikthim i fuqishëm prej kampioni. Pas muajsh mundime për shkak të dëmtimit, pas muajsh sakrificash dhe lodhjeje, sot ia dola të rikthehem me një rezultat fantastik në Kupën e Botës Thailand 2024. Arrita një rezultat shumë të mirë në peshën 73 kg.
Shumë mendje skeptike nuk e besonin të rikthehesha kaq fuqishëm sa sot, por përsëri vërtetova se dëshira për të arritur sukses për këtë komb dhe për të qëndruar në majat e këtij sporti, janë më të mëdha. Kompeticioni i sotëm ishte një test mjaft i rëndësishëm, për shkak se është i fundit kualifikues për Lojërat Olimpike Paris 2024. Vazhdojmë përpjekjen me sfidën e radhës në Paris”, – shkruan Calja. Sportisti ka kaluar një periudhë të vështirë dhe rezultati i sotëm duket se e ka çliruar.
Olimpiada në rrezik, shpresat te ftesa
Me garimin e baterisë A, Briken Calja është renditur i 10-ti në dygarësh, duke qenë 4 kilogramë poshtë normës olimpike, që do ta kualifikonte direkt për në Olimpiadën e Parisit. Ai mbetet jashtë Lojërave Olimpike me këtë rezultat.
Tani shpresat janë vetëm te ftesat që Federata Botërore e Peshëngritjes jep për Lojërat Olimpike. Në dispozicion janë 3 ftesa për meshkujt dhe 3 për femrat, ndërkohë që janë bërë 32 aplikime dhe kjo do të thotë se shanset janë vërtet të pakta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




