Një grua e re dhe e shëndetshme që lufton me depresionin, autizmin dhe çrregullimin e personalitetit kufitar do t’i japë fund jetës së saj me eutanazi.
Zoraya ter Beek, 28 vjeç, jeton në një fshat të vogël në Holandë afër kufirit gjerman dhe ka vendosur të vdesë me vetëvrasje të asistuar në maj. Zoraya ka luftuar me shëndetin mendor gjatë gjithë jetës së saj dhe aktualisht ka një të dashur 40-vjeçar që e do dhe dy macet e saj.
Ajo dikur ëndërronte të bëhej psikiatre, por tani ka vendosur t’i japë fund jetës së saj, pasi mësoi për metodën kur vizitoi mjekët, të cilët me keqardhje i thanë: Nuk mund të bëjmë asgjë më shumë për ty. Nuk do të bëhet kurrë më mirë.
“Unë kam qenë gjithmonë shumë e qartë me atë që do bëja. E kisha bindur veten se nëse nuk do të përmirësohesha, do të kryeja eutanazi”.
Stef Groenewoud, pedagog i kujdesit shëndetësor në Universitetin Teologjik Kampen në Holandë, tha se tashmë po e sheh eutanazinë si një opsion i mundshëm dhe i pranueshëm, që është gjithmonë aty në tavolinë, i sjellë nga mjekët apo nga psikiatër, kur më parë ishte zgjidhja e fundit.
“E shoh fenomenin veçanërisht te personat me sëmundje psikiatrike dhe veçanërisht të rinjtë me çrregullime psikiatrike, ku profesionisti i kujdesit shëndetësor duket se heq dorë prej tyre më lehtë se më parë”.
Zoraya po planifikon të digjet pasi të ketë kryer eutanazinë në divan në dhomën e saj të ndenjes. Ajo ka shpjeguar se nuk dëshiron asnjë lloj muzike gjatë procesit. Një mjek fillimisht do ti injektojë një qetësues, i ndjekur nga një ilaç që do të ndalojë zemrën e saj. I dashuri do të jetë në krah të saj, raporton NY Post.
“Mjekja do marrë kohën e vet. Nuk është se hyjnë brenda dhe thonë: “Shtrihu, të lutem!” Në shumicën e rasteve, fillimisht është një filxhan kafe për të qetësuar nervat dhe për të krijuar një atmosferë të butë. Pastaj do më pyesë nëse jam gati. Unë do të zë vendin tim në divan. Ajo do të pyesë edhe një herë nëse jam e sigurt dhe kur të marrë përgjigjen, do të fillojë procedurën, duke më uruar ‘një udhëtim të mbarë’”, shpjegon Zoraya.
28-vjeçarja nuk ka familje, kështu që ajo ka vendosur se do jetë i dashuri i saj që do të gjejë një vend të bukur në pyll për të përhapur hirin.
“Kam pak frikë nga vdekja, sepse është e panjohura e fundit. Ne nuk e dimë vërtet se çfarë është më pas – apo nuk ka asgjë? Kjo është pjesa e frikshme.”
Holanda u bë vendi i parë në botë që e bëri të ligjshme eutanazinë e asistuar në vitin 2001. Që atëherë, ajo është bërë një opsion gjithnjë e më popullor. Në vitin 2022, kishte 8,720 vdekje nga eutanazia në Holandë, që përfaqëson afërsisht 5% të të gjitha vdekjeve të vendit dhe nga 4% që ishte një vit më parë. Në shkurt, ish-kryeministri holandez 93-vjeçar Dries van Agt dhe gruaja e tij zgjodhën eutanazinë.
Kritikët e legalizimit të eutanazisë thonë se njerëz si Ter Beek janë inkurajuar të vrasin veten me ligj.
Duke folur për median me të cilën ajo shpjegoi zgjedhjen e saj, Zoraya tha: “Ishte një nder për mua të ofroj njohuri për njerëzit që ishin të hapur për të mësuar diçka.”
Më vonë ajo njoftoi se do të largohej nga rrjetet sociale përpara vdekjes së saj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



