Gazeta Si – Një sasi me tritol ka shpërthyer në orët e para të mëngjesit të kësaj të mërkure në një mobileri në Kodër Rrashbull në Durrës.
Sipas pronarit të biznesit, një sasi e vogël lënde plasëse u hodh në fasadën e “Luart Mobileri” për herë të tretë brenda rreth 5 muajsh. Fatmirësisht nga ngjarja nuk ka të lënduar, por vetëm dëme materiale.
Në dëshminë e tij Artan Alla pohoi para oficerëve të policisë se kjo ishte hera e tretë që e sulmonin me lëndë plasëse. Ai nga ana tjetër pohoi se nuk kishte konflikte me askënd.


“Nuk kam konflikt me asnjë njeri në botë. Rri natë ditë para dyqanit. As prona nuk kam konflikt, as borxh nuk kam. E kam me leje me çdo gjë. Ia kanë futur kot policia, ndoshta kanë dyshimet e veta. Nuk e di nga ka ardhur. Kamerat kanë kapur një person duke hedhur lëndën plasëse dhe ka ikur. Ka qenë në këmbë me kapuç dhe maskë. Kjo është hera e tretë që ma hedhin. Njëherë në nëntor, një herë para tre katër javësh. Unë punë time po rri këtu. Punëtorët i kam flori, nuk kanë asnjë lloj problemi. Edhe drekën ia sjell unë. Nuk kam asnjë lloj konflikti me asnjë njeri në botë”, tha ai.
Paraprakisht deklarohet se konflikti është për një copë toke, për të cilin dyshohet se iu hodh nga rruga një sasi lënde plasëse me fitil zjarrpërcjellës.
Policia ka shoqëruar 3 persona si të dyshuar që mund të kenë lidhje me hedhjen e lëndës plasëse në biznes. Autoritetet kanë ngritur dy pista hetimi atë të konkurrencës dhe konfliktet e pronësisë.
Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat e policisë dhe ato xheniere, teksa ka nisur puna për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.
Ndërkohë ende nuk janë identifikuar personat që kanë kryer ngjarjen, po kryhet vëzhgimi i kamerave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




