Sport

Erkand Qerimaj tërhiqet nga Botërori, përfundon ëndrra olimpike e shtangistit!

Gazeta Si – Erkand Qerimaj nuk shkon në Botërorin e peshëngritjes në Tajlandë. Pas një sërë akuzash ndaj FSHP-së për mashtrim, fshehje rezultatesh e dopingu, që më pas institucioni që drejton këtë sport i hodhi poshtë me dokumente, përfshirë edhe negativitetin e analizës antidoping të sportistit të Teutës, Qerimaj tërhiqet nga tentativa për t’u kualifikuar në Olimpiadën e Parisit.

Arsyeja? “Jam i ftohur”, ka thënë Qerimaj, i cili rreth një muaj më parë doli nënkampion Europe në Bullgari në një stil, duke marrë medaljen, që ndoshta është e fundit ndërkombëtare për të, nisur nga rezultatet në rënie që ka pasur. Konkurimi në Europian ishte në kategorinë e peshës trupore deri në 81 kg, që nuk vlen për Olimpiadën, pasi nuk është peshë olimpike.

Më pas, mes akuzave të shumta që bëri shtangisti shkodran ishte mosregjistrimi i tij nga Federata për në këtë Botëror, ku ai deklaroi se do të garonte në peshën olimpike deri në 73 kg, një sfidë thuajse e pamundur me rivalin e tij më të madh, Briken Calja, pasi rezultatet e tyre janë 10 kg më tepër në favor të sportistit nga Shtërmeni.

Përpos kësaj “frike” për të mos humbur në duelin ndoshta të fundit ndërkombëtar të tyre, Qerimaj duhet të binte nga pesha rreth 7-8 kg për një muaj kohë dhe paralelisht të mbante formën e mirë fizike për të ngritur peshat deri në 330 kg, aq sa kishte fiksuar në deklarimet paraprake që bëhen përpara garave ndërkombëtare. Një tjetër faktor ky që ja bënte më tepër një ëndërr se sa një realitet kualifikimin.

Dhe pas trajtimeve për rreth një muaj përgatitje, vitaminave të siguruara nga Federata, siç ndodh me të gjithë sportistët, dhe biletave të avionit të kushtueshme për në vendin e largët, 24 orë përpara nisjes, nëpërmjet një sms-je Erkand Qerimaj bën me dije se tërhiqet nga gara dhe nga ëndrra olimpike ‘Paris 2024’.

Erkand Qerimaj, këtë vit 36 vjeç, mbyll pjesëmarrjet e tij olimpike me dy Olimpiada, ‘Pekin 2008’ dhe ‘Tokio 2021’. Një mbyllje me shumë zhurmë. Ai u nda me gjyq me trajnerin Zef Kovaçi, një debat i nisur për shpërblimet që përfiton trajneri. Pastaj kaloi te trajneri Sokol Bishanaku dhe te një tjetër trajner të ndryshuar pak muaj më parë.

Një emër i madh dhe shumë i suksesshëm në sportin e peshëngritjes, i karakterizuar gjithmonë nga një punë e palodhur me një vullnet të hekurt në kaq shumë vite dhe paralelisht me shumë debate dhe mosmarrëveshje, si me kolegët e palestrës, trajnerët dhe drejtuesit e FSHP-së, tërhiqet nga Botërori.

Kështu, peshëngritja shqiptare në peshën deri në 73 kg, ku garohet për një vend në Olimpiadën e Parisit, do të përfaqësohet me Briken Caljen, një tjetër sportist i madh edhe ai drejt mbylljes së karrierës. Megjithatë mes shumë sakrificash dhe gjendjes jo optimale, Calja ka shkuar në Tajlandë për të kërkuar një vend brenda 15-shes që mund t’i japë kualifikimin për në Olimpiadë.

Në këtë garë marrin pjesë më të fortit e botës, rreth 56 të tillë. Calja do të jetë i vetmi që do të përfaqësojë peshëngritjen shqiptare në Olimpiadë, me tentativën e kualifikimit më 4 prill, përndryshe me ftesën që pritet të sigurohet për një sportist.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë