Sport

Olimpiada e fundit për dy nga më të mirët e shtangës, Calja-Qerimaj sfidojnë njëri-tjetrin!

Gazeta Si – Për herë të parë në karrierën e tyre, Erkand Qerimaj dhe Briken Calja, dy prej sportistëve më të mirë të historisë së peshëngritjes shqiptare, që kanë dominuar këto 10-15 vitet e fundit, duke fituar medalje të rëndësishme, mes tyre edhe medalje si kampion Europe apo Bote, në Botërorin që starton sot në Tajlandë do të jenë në garë me njëri-tjetrin. Ata duelojnë për një vend ë atë që do të jetë Olimpiada e tyre e fundit, Paris 2024.

Eshtë e fundit për shkak të moshës, pasi Erkandi në verë mbush 36 vjeç, ndërsa Briken Calja është 34 dhe pas 4 vitesh vështirë se ndonjëri prej tyre do të rezistojë në nivelin që të arrijë të kualifikohet.

Ky duket se do të jetë edhe fundi i dominimit të tyre në këtë sport, që e kanë mbajtur gjallë me shumë sakrifica dhe arritje, për të cilat jo vetëm ata apo familjet e tyre, por gjithë shqiptarët ndihen krenarë.

Megjithatë, ka ardhur ky moment, ku këta sportistë të garojnë vetëm për një vend në Olimpiadën e Parisit. Të dy për herë të parë do të garojnë në peshën deri 73 kg në një aktivitet së bashku, që është dhe një prej peshave olimpike. Nga kjo Olimpiadë, sporti i peshëngritjes ka vetëm 5 pesha olimpike.

Si peshë e mesme duket se do të ketë edhe garën më të fortë, ndërkombëtarisht jo vetëm për këta dy sportistë. Briken Calja e ka këtë kategori peshë të tijën, pasi ka kohë që provon dhe garon këtu, kurse për Erkand Qerimaj do të jetë një sakrificë. Do t’i duhet të bjerë si fillim nga pesha, për të arritur aty dhe më pas të përpiqet të jetë mes 15 të parëve, që është kufiri i pikëve të nevojshme për të siguruar pjesëmarrjen në Olimpiadë.

Përpos garës me rreth 60 sportistë ndërkombëtarë në këtë peshë, atij i duhet që të mundë edhe Briken Caljan, pasi më i miri mes tyre mund të shkojë nga sporti i peshëngritjes për të përfaqësuar Shqipërinë në Francë këtë verë.

Në dy rastet e fundit që këta dy peshëngritës kanë garuar në këtë peshë, në aktivitete të ndryshme dhe periudha të ndryshme, Briken Calja ka arritur të ngrejë 10 kg më tepër. Erkand Qerimaj në Europianin e Armenisë vitin e shkuar ngriti 150 dhe 168 kg në shtyje dhe shkëputje, 318 kg në dygarësh.
Në Europianin e fundit, një muaj më parë në Bullgari, Briken Calja ngriti 148 dhe 180 kg, në dygarësh 328 kg.

Një sfidë e madhe mes dy sportistëve po kaq të mëdhenj, por që mbetet shumë e fortë, e para për tu kualifikuar mes 15 të parëve, dhe e dyta për të fituar sfidën me njëri-tjetrin. Federata Shqiptare e Peshëngritjes është duke lobuar shumë që të sigurojë edhe një ftesë për në Paris nga Federata Botërore, për të mos e lënë Shqipërinë pa përfaqësim të këtij sporti në Olimpiadë. Me shumë gjasë, mund të jetë e fundit në historinë e peshëngritjes, pasi nuk është e sigurt, nëse ky sport do të jetë në Olimpiadën e ardhshme në Los Anxheles 2028.

Në këtë mënyrë, të dy sportistët janë nisur këtë të diel për në Tajlandë, ku do të zhvillohet Botërori, dhe më 4 prill do të jetë shfaqja e madhe e tyre për të tentuar ta mbyllin karrierën me një Olimpiadë të madhe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë