Njerez

Rastet e ndikimit të rrjeteve sociale tek moshat e reja, dhe zgjidhja e (pa) shmangshme      

Nga raste konkrete të fëmijëve që delirojnë të bëhen si figurat më të errëta të historisë, e deri tek dëshirat për të lënë shkollën. Shifrat dëshmojnë për 5 fishim të incidenteve online përmes gjuhës së urrejtjes dhe mizogjinisë dhe 7-fishim të faqeve online me këtë përmbajtje, ku vajzat janë viktima në 60% të rasteve të raportuara, sipas CRCA. Njihuni me opinionet e tri ekspertëve: një të komunikimit, një psikiatreje dhe një të teknologjisë digjitale.

Nevila Gjata

Një prej pasditeve të dimrit, në zyrën e saj të punës, ia behu një 13 vjeçar.  Ata të dy i ndante një tavolinë pune, por një bisedë tepër e gjatë. “Unë dua të bëhem si Hitleri”, i tha 13 vjeçari.

Mendimi i tij i ngultë nisi nga një postim që kish parë në rrjetet sociale për Hitlerin dhe filozofinë e tij.

Më pas kureshtja i ishte kthyer në obsesion.

Për disa javë, ai e kishte orientuar kërkimin rreth glorifikimit të jetës së Hitlerit, dhe postimeve që promovonin ideologji ekstremiste si supermacia e bardhë dhe neo-nazizmi.

Përfshirja në simbole, slogane, postera frymëzues se si Hitleri i shpërfaqej si “idealisti që bëri bashkë gjermanët”, ndikuan aq shumë tek ai, sa një ditë ai shprehu dëshirën apokrife të bëhej një diktator, si ai.

Psikoterapistja, Manjola Çollaku, që ka ndjekur rastin, thotë se 13 vjeçari në këtë fazë të adoleshencës nuk kish akoma të zhvilluar aftësinë e përpunimit, organizimit apo arsyetimit, duke përthithur shabllon informacionin.

Psikologe klinike e zhvillimit, Manjola Collaku

E njëjta eksperte përmend edhe raste të tjera profilesh të adoleshentëve që shfaqin problematika nga ndikimi i rrjeteve sociale. 

13 vjeçari kishte gjithashtu një familje me prejardhje socio-ekonomike të lartë, me një stil prindëror lejues, ku djali ishte rritur pa detyra apo impenjime/kërkesa familjare…

Një 13 vjeçare, e cila shfaqte një natyrë introverte në shtëpi dhe shkollë u zbulua më vonë se ishte pjesë kryesore e një grupi në whatsapp që shpërndante gjuhë urrejtjeje dhe meme të shokëve të tjerë të klasës/shkollës.

Një 14 vjeçare ka modifikuar strukturën gjuhësore si pasojë e leximit/dëgjimit vetëm në anglisht.

“Ajo flet pastër shqip por me strukturë fjalie në anglisht”, thotë Çollaku e cila po ashtu ka trajtuar rastin në fjalë

Manjola Çollaku, me profesion psikologe klinike e zhvillimit, vëren për Faktoje.al se pjesa dërmuese e pacientëve adoleshentë dhe të rinj, që ajo ka trajtuar, kanë probleme sociale (problem kryesor apo bashkëshoqërues).

Përballja e shpeshtë në rrjete sociale me “VIP-a”/Influencera që supozohet për ta se nuk bëjnë shumë për të arritur diçka, dhe aksesi i shpejtë i informacionit nga media (youtube psh) ka sjellë sipas Çollakut një ndikim të jashtëzakonshëm në filozofinë e jetës së të rinjve.

 “Ajo që shoh në terapi është ndryshimi në aspirata dhe pritshmëri. Pjesa dërmuese e adoleshentëve nëse do kishin mundësi të ndryshonin diçka në jetën e tyre, do eliminonin shkollën. Shkollën nuk shohin si burim dijesh (sepse në internet e marrin më shpejt dhe pa sforco) dhe të panevojshme për plotësimin e ëndrrave të tyre” 

Një pacient 13 vjeçar shfaqte nota të larta nostalgjie për të shkuarën (moshën 7-8 vjeçare).

Ai jetonte në një shtëpi me stil lejues prindërimi, në kushte shumë të mira ekonomike.

“Por përballja me ‘vështirësitë’ e shkollës dhe futja në adoleshencë e trembte atë në aspektin e përgjegjësisë. Pacientin e agravonin shumë postimet nostalgjike në Instagram, pasi ato shërbenin si nxitës të nostalgjisë së tij…” , rendit Çollaku. 

Grupmosha më e prekur në rastet që ajo trajton janë adoleshentët por edhe ata në para-adoleshencë. Kjo e lidhur ngushtësisht me sasinë e kohës së shpenzuar në rrjetet sociale dhe përmbajtjen.

Znj. Çollaku thotë se mediat sociale dhe konsumimi i informacionit online kanë gjithashtu një ndikim të rëndësishëm në ndërtimin e identitetit të tyre

“… Përdorimi i medias sociale dhe konsumimi i lajmeve online mund të ndikojë në perceptimin e tyre për vetveten dhe botën rreth tyre”, shpjegon ajo.

***

Filozofi i ndjerë Bernard Williams shpjegonte në studimet e tij se mundësitë që mesazhet të shpërfillen në rrjetet sociale janë të ulëta dhe probabiliteti që vetë sistemi t’i ndihmojë njerëzit që të qëmtojnë të vërtetat është akoma edhe më i ulët.

Interneti, sipas tij, është shtylla e të gjitha thashethemeve dhe mesazheve të pastrukturuara që bartin shumëllojshmëri deklaratash, idesh, por edhe besëtyte skandaloze apo dashakeqe.

Psikoterapistja Çollaku shpjegon se, “nëse të rinjtë përballen me informacion të gabuar ose të manipuluar nëpërmjet mediave sociale, ata mund të përjetojnë konfuzion dhe mosqartësi në lidhje me kush janë dhe ku përshkojnë në jetë”.

Efekti i rrjeteve sociale në jetën e përditshme të të rinjve, sipas saj, është shumëdimensional:

“Në një anë, ato ofrojnë mundësi për lidhje sociale të reja dhe për të ndarë interesat dhe përvojat me një audienca të gjerë.

Nga ana tjetër, rrjetet sociale mund të krijojnë stres dhe ankth nëpërmjet krahasimeve, presionit për të pasur një prezencë të dukshme online dhe për të përballuar kritikën ose kundërshtimin nga bashkëmoshatarët si dhe ndjenja të paimagjinuara inferioriteti për shkak të krahasimit me jetën e të tjerëve në internet”

“Përdorimi intensiv i rrjeteve sociale, lojërave video, dhe përmbajtjes dixhitale të tjera, sipas Çollakut, mund të shkaktojë ndjenjë izolimi nga realiteti fizik dhe një shkallë më të ulët të vetëdijesimit për ngjarjet dhe marrëdhëniet në botën reale”

Psikoterapistja Çollaku thotë se ka trajtuar të rinj që nuk kishin të zhvilluar asfare aftësimin social sepse rutina e tyre nuk përmbante aspak bashkëveprim me të tjerë

“Në shumë raste, – vijon ajo,- ndërveprimet online po fillojnë të zëvendësojnë komunitetin fizik të një individi që mund të çojë në ndjenja izolimi dhe mungese të lidhjes emocionale reale”

Ato që po tërheqin më shumë në klikime, sipas eksperteve te teknologjise janë gjuha e urrejtjes dhe përmbajtjet ekstremiste.

Platformat e mediave sociale u ofrojnë gjithashtu aktorëve të dhunshëm mundësinë për të publikuar aktet e tyre

Edhe pse në shumë raste ato fshihen, sfida, mbetet e madhe për shkak të shkallës së përhapjes dhe shkathtësisë me të cilën ato rishpërndahen.

***

Në Shqipëri problemi mbetet më konkret. Ajo lidhet ngushtësisht edhe me median siç rezulton pas kërkimeve të eksperteve të teknologjisë

Çdo ditë publiku “bombardohet” me terma në emisione televizive si “idiot”, “skandaloz’ “i lig”, “grotesk”, “kriminel” “i trashë” etj.

Përmbajtja që përmban gjuhë urrejtje, sharje, ose ekstremizëm shpesh ndalohet dhe diskurajohet nga platforma të ndryshme siç janë rrjetet sociale, forumet në internet, dhe motorët e kërkimit.

Por, në rastin e medias, psikoterapistja Çollaku nënvizon se, nëse ajo paraqet raste të gjuhës së urrejtjes, është e rëndësishme të bëjë gjithashtu thirrje për tolerancë dhe respekt ndaj të tjerëve.

“… Kjo përfshin raportimin e rasteve të gjuhës së urrejtjes tek autoritetet kompetente, ofrimin e mbështetjes për viktimat, dhe edukimin e publikut në lidhje me rrezikun dhe dëmin që shkakton gjuha e urrejtjes në shoqëri”, thotë ajo.

Studimet e sotme tregojnë se gazetarët apo autorët përmes formateve të ndryshme në tv apo platforma sociale kanë përgjegjësinë e tyre për përhapjen e gjuhës së urrejtjes nisur nga pyetjet apo temat e lançuara.

Shpesh herë vetë media përmes paneleve bëhet nismëtare e një komunikimi të tillë.

Gazetari Ben Andoni ka parasysh këtë fenomen kur, gjatë një bisede për Faktoje.al, të thotë se vetëm pak ditë më parë, “një grup intelektualësh i kërkonin institucioneve shqiptare jo vetëm të mos pranonin në ekrane dhe në media kinse ‘specialistë’ por edhe të punohej për kufizimin e gjuhës së urrejtjes”.

Gazetari Ben Andoni

Jo vetëm ky apel , sipas tij, nuk zuri vend, por gjuha në media e jo pak individëve e shpreh hapur urrejtjen dhe përçmimin ndaj grupeve të tjera

“Përderisa suksesi i mediave të shkruara dhe ato audiovizive, kriter primar kanë klikimin, atëherë është e vështirë që të gjesh rol pozitiv për ta fashitur gjuhën e urrejtjes apo shpifjen. Derisa në parlament, ku është pushteti më i lartë ai legjislativ, gënjehet hapur dhe akuzohet pa bazë, atëherë çfarë mund të presësh në nivele të tjera”, pyet ai, duke ngritur supet.

Andoni sjellë në vëmendje se, “duke mos pasur një organ rregullator de facto i mbi 700 portaleve (referencë nga Shoqata Kombëtare e Gazetarëve) kurse de jure një organ apatik si AMA, nuk mund të presësh praktika të njohura”.

Edhe pse pak personazhe të botës mediatike dhe publike kanë zgjedhur përmes përvojës të shmangin gjuhën e urrejtjes, Andoni beson se, kjo situatë do të vazhdojë. Pse?  “Sepse në media filtrohen gjithnjë e më shumë nivele poshtë mesatares dhe me kultura të cunguara, por mbi të gjitha me parime të munguara morale, ku kriter është debati për debat, që të pjellë klikime”.

Sot në botë po zhvillohen politika dhe mekanizma më të fortë për të identifikuar dhe hequr përmbajtjet ekstremiste dhe gjuhën e urrejtjes. Kjo përfshin mjete algoritmike për të identifikuar përmbajtje problematike, si dhe ngritje ekipesh që rishikojnë raportimet nga përdoruesit.

Por, në Shqipëri, Andoni këmbëngul se pasoja është më afatgjate sesa fshirja e një mesazhi: “Fuqia e kësaj lloj gjuhe për të nxitur dhunën e bazuar në urrejtje, që bëhet nga ankthi për klikime, po shoqërohet me kërcënimin që ajo paraqet për diskursin e sigurt dhe civil”

Psikoterapistja Manjola Çollaku ndërkohë e sheh problematikën shumë më thellë.

Në këtë përgjegjësi shumëpalëshe, ajo i mëshon nevojës fillestare për edukimin e të rinjve përmes zhvillimit të mendimit të pavarur dhe kritik.

Por Si? Sipas saj, ajo fillon nga kurrikulat shkollore, përmes futjes së programeve edukative (në disa shkolla kanë filluar), “që synojnë të promovojnë, vetëdijen e fëmijëve për manipulimin e informacionit dhe rëndësinë e kritikës së medias”.

Tjetër zgjidhje, sipas psikologes klinike, të zhvillimit janë projektet në nivel qytetar dhe shoqëror përmes organizatave jofitimprurëse dhe iniciativave shoqërore si dhe e treta (jo më e vogël) për nga rëndësia sipas Çollakut janë fushatat e ndërgjegjësimit publik.

***

Për herë të parë, që prej krijimit të Platformës Kombëtare iSIGURT.al, drejtori i CRCA, (Qendra për të drejtat e fëmijëve në Shqipëri) Altin Hazizaj thotë për Faktoje.al se bullizmi online është incidenti më i raportuar nga fëmijët dhe adoleshentët, në rreth 35% të rasteve, të ndjekur në 21% të rasteve nga gjuha e urrejtjes dhe 15% shantazhe dhe kërcënime online.

Altin Hazizaj, drejtor i CRCA

Dhuna, ngacmimet dhe shfrytëzimi seksual online ka kaluar në vend të katërt të incidenteve të raportuara.

Deri vitin e kaluar, ky fenomen zinte incidentin kryesor të raportuar nga fëmijët dhe adoleshentët.

Nga viti 2018 deri në vitin e fundit të raportimit, raportohet se ka një rritje me 5 herë të incidenteve të misogjinisë dhe gjuhës së urrejtjes.

Në tërësi, sipas Hazizajt, rezulton se vajzat raportojnë më pak incidente online, krahasuar me djemtë.

Të dhënat tregojnë se vajzat mbajnë vetëm 46% të peshës së raportimeve të bëra në iSIGURT, pavarësisht se analiza e rasteve dhe e faqeve tregon se vajzat janë në mbi 60% viktimat kryesore të incidenteve në hapësirën kibernetike.

Vajzat e reja, sidomos adoleshentet e grup-moshës 14-17 vjeç, të ndjekura nga grup-moshat 18-24 dhe 30-40 vjeç janë ato që raportojnë më shumë.

Instagram, Tik-tok dhe Youtube janë platformat kryesore ku raportohen incidente të misogjinisë dhe gjuhës së urrejtjes online, të ndjekura nga platforma të tjera sociale ose mediatike si Facebook apo ato lokale.

“Nga analiza e rasteve të raportuara shohim se gjuha e urrejtjes është incidenti më i raportuar nga vajzat, e ndjekur nga bullizmi dhe kërcënimet online. Të dhënat tregojnë se jo vetëm numri i incidenteve ka ardhur në rritje, por edhe numri i faqeve të raportuara. Në vitin 2023 u raportuan 170 faqe me përmbajtje misogjinie dhe gjuhës së urrejtjes, që korrespondon me një rritje prej 7 herësh, krahasuar me vitin 2018”, thotë Hazizaj.

Krahasuar me vitin e kaluar vihet re një rritje me 160% të incidenteve të raportuara.

Nëse analizohen rastet sipas ndarjes mujore, çdo muaj raportohen të paktën 20 incidente online nga fëmijët, ose një person afër tyre.

Çfarë sjell ky fenomen?

“Kur individët shfaqin sjellje raciste, mizogjinie, ose homofobi nëpërmjet platformave të mediave sociale, ata rrezikojnë të kontribuojnë në kultivimin dhe përhapjen e diskriminimit dhe urrejtjes në shoqëri”, shpjegon znj. Çollaku.

Kjo, sipas saj, “jo vetëm që i dëmton marrëdhëniet ndëretnike, gjinore dhe seksuale, por gjithashtu shkakton stres emocional dhe konflikt mes individëve dhe grupeve të ndryshme”.

“Për më tepër ky fenomen, – vijon ajo logjikën, – mund të përkeqësojë ndarjen shoqërore dhe të krijojë një mjedis toksik”.

Atëherë cila është zgjidhja? Psikoterapistja Manjola Çollaku e sheh zgjidhjen tek angazhimi i tri hallkave kryesore që mbeten arkitrau i rregullimit të këtij fenomeni: prindërit, kurrikula shkollore (modelet e referimit arsimor) dhe media.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë