Gazeta Si – Edhe rreth 150 ditë nga Olimpiada ‘Paris 2024’ dhe Shqipëria endet nëpër aktivitete ndërkombëtare për të grumbulluar pikët e nevojshme që të kualifikojë sportistët për në këtë aktivitet madhor. Më i madhi i sportit në gjithë botën.
Shqipëria sot ka të kualifikuar vetëm 2 sportistë për në Olimpiadë. Luiza Gegën, kampionien e Europës dhe pjesëmarrëse dinjitoze në Botërorë e çdo aktivitet. Ajo është zyrtarisht e kualifikuar për në ‘Paris 2024’, ashtu si mundësi çeçen që garon për shqipërinë, Zelimkhan Abakarov.

Sa i përket altetikës, sportisti tjetër në tentativë për t’u kualifikuar është Izmir Smajlaj, prej shumë muajsh i dëmtuar. Nga dhjetori ka rifilluar stërvitjen, por ende nuk është gati për të marrë pjesë në një aktivitet ndërkombëtar, që mund t’i jepte shanse pjesëmarrjeje në Olimpiadë. Madje, edhe ftesa e mbërritur në Federatën Shqiptare të Atletikës e përjashton kërcimin së gjati.
Peshëngritja, sporti ynë i traditës që prej vitesh e dekadash na ka dhuruar medalje, për momentin është jashtë pritshmërive dhe kualifikimit. Nuk ka asnjë sportist të kualifikuar, por ka ende edhe një aktivitet, Botërorin që do të zhvillohet javën e parë të prillit.
I vetmi që ka shanse kualifikimi dhe ku janë përqendruar të gjithë prozhektorët, është Briken Calja, i cili do të marrë pjesë në peshën deri në 73 kg. Do ta tentojë të njëjtën gjë edhe Erkand Qerimaj, i cili pak javë më parë mori medaljen e argjendtë vetëm në një stil në Europianin e Rumanisë, por në peshën deri në 81 kg, që nuk është peshë olimpike dhe pjesëmarrëse në Olimpiadë.

Shpresat mbeten për kualifikim te gjimnastika, me rusin Matvei Petrov. Çeçenët Abakarov dhe Dudaev e kanë më të thjeshtë kualifikimin, madje Abakarov e ka zyrtarizuar, pritet që edhe Dudaev të bëj të njëjtën gjë.
Sporti tjetër që merr festa për Olimpiadë është noti, ku do të kemi ndoshta si në të shkuarën 2 ftesa për dy sportistë. Për sportin e traditës sonë, qitjen, nuk ka më mundësi kualifikimi, thjesht po ‘lutemi; të marrim një ftesë, që me gjasë e kemi siguruar falë edhe vizitës së presidentit të Federatës Botërore të Qitjes në Tiranë javën e shkuar.
Për të formuar një ekip olimpik të projektuar për 6 apo 7 sportistë, nga këta shumë pak shqiptarë dhe prej tyre vetëm një të kualifikuar për momentin.
Ndoshta duhet të presim edhe pak, por askush nuk e nxitoi Luizën të kualifikiohej kaq shpejt, ashtu si nuk i pengoi të tjerët të ishin kualifikuar. Niveli në rënie do të na lërë deri në frymën e fundit të shpresojmë te pikët e kualifikimit, përndryshe, ashtu sikurse në dasëm, presim të na ftojnë për ‘Paris 2024’.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




