Politike

Kush do e drejtojë Himarën? Balla: Ligji e përcakton qartë, vendimmarrja i takon Këshillit Bashkiak

Nga Gazeta 'Si' - Ministri i Brendshëm, Taulant Balla tha se ligji për qeverisjen vendore e përcakton qartë se kush e drejton bashkinë në rast kur krijohet vakanca, duke iu referuar këtu rastit të bashkisë Himarë.

Balla u shpreh se në rastin e vakancës në bashkinë e Himarës, qeveria do zbatojë ligjin, ndërsa u shpreh se ekskluziviteti i vendimmarrjes i takon Këshillit Bashkiak të Himarës.

“Ligji e përcakton qartë rastet e vakancës, qoftë vakanca nga dorëheqja apo në formë tjetër. Nga ky moment brenda 48 orësh institucioni i prefektit njofton organet e tjera të qeverisjes vendore. Qeveria do zbatojë ligjin pikë për pikë”, tha Balla.

Lidhur me pyetjen se nëse "ekziston vullnet nga PS që bashkinë ta drejtojë përkohësisht një këshilltar i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ dhe jo një socialist, Balla u përgjigj:

"Unë jam ministri i Brendshëm dhe nuk më takon të bëj deklaratë politike, lidhur me vendimmarrjen e këshillit bashkiak të bashkisë Himarë. Ju e dini si veprohet kur krijohet vakanca, këshilli bashkiak komandon një kryetar për të kryer detyrën përkohësisht. Do të ishte e pavend që unë të jepja qofte edhe komente për këtë vendimmarrje që i takon këshillit të Bashkisë së Himarës".

I pyetur se çfarë qëndrimi ka qeveria për arrestimin e Jorgo Goros, Balla tha: “Qëndrimi ynë është i qartë, ne nuk komentojmë vendimet e drejtësisë. Drejtësia  ka mbështetjen tonë për të çuar përpara luftën kundër korrupsionit dhe cdo formë tjetër të shkeljes së ligjit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë