Kosova

Gërvalla: Nuk ka tension në marrëdhëniet me SHBA-të

Nga Gazeta ‘Si’- Ministrja e Jashtme e Kosovës Donika Gërvalla tha se marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara janë shumë të mira, pavarësisht se mbi disa tema nuk pajtohen plotësisht.

Ndërsa diplomatët amerikanë janë shprehur se mungesa e bashkërendimit për çështjen e përdorimit të dinarit ka dëmtuar partneritetin me qeverinë e Kosovës, Gërvalla tha se “ka disa tema ku nuk pajtohemi 100 për qind në aspektin teknik”, duke shtuar se “vënia në pikëpyetje e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk ka ndodhur asnjëherë”.

Gjatë një interviste për Zërin e Amerikës, ajo foli edhe mbi mungesën e përparimit të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Nëse çdo gjë që bëjmë në Bruksel nën ndërmjetësimin e partnerëve tanë evropianë, kohën e skadencës e ka derisa Serbia të tërhiqet, atëherë duhet vetes t’ia shtrojmë pyetjen sa ia vlen që shpenzojmë kaq shumë kohë në Bruksel për marrëveshje që në fund edhe ashtu, nuk e obligojnë Serbinë t’u përmbahet”, u shpreh ajo.

Sa i përket mundësisë që Mali i Zi të votojë kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, Gërvalla tha se “do të ishte natyrisht një regres i rëndë në raportet tona bilaterale, prandaj nuk besoj se Mali i Zi do të marr një vendim të tillë”.

E pyetur për pritshmëritë e Kosovës lidhur me raportin që do diskutohet në mbledhjen e Komisionit për politikë dhe demokraci të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Gërvalla tha se raporti mund të miratohet.

“Ne mendojmë se nëse krijohet kuorumi i nevojshëm për trajtimin e kërkesës për Kosovën, atëherë mendojmë që një kërkesë e tillë, pra raporti do të mund të miratohet. Dhe më lejoni të konstatoj sot se rrallë ndonjëherë në historinë e anëtarësimeve pas vitit 1990 në Këshillin e Evropës ndonjë shtet ka qenë kaq i përgatitur për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës. Kemi vepruar së bashku me të gjithë mekanizmat e Këshillit të Evropës, raporti është pozitiv, të gjitha detyrat e shtëpisë janë bërë, prandaj presim që gjatë marsit, gjatë prillit por edhe gjatë majit të kemi lëvizje në këtë drejtim”, deklaroi ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë