Çmimet e naftës e nisën me rritje këtë javë, përballë shqetësimeve se tensionet në Lindjen e Mesme vetëm po shkallëzohen, luftës Rusi-Ukrainë dhe rënies së prodhimit amerikan.
Nafta Brent e papërpunuar tregtohet me 85.67 dollarë/fuçi, ndërsa ajo amerikane 80.88 dollarë/fuçi.
“Përshkallëzimi i tensionit gjeopolitik, i shoqëruar me një rritje të sulmeve ndaj objekteve energjetike në Rusi dhe Ukrainë, së bashku me zvogëlimin e shpresave për armëpushim në Lindjen e Mesme, ngritën shqetësimin për furnizimin global të naftës,” tha Hiroyuki Kikukawa, president i NS Trading, një njësi e Nissan Securities. .
“Rënia e numrit të fuçive nga SHBA, gjithashtu rriti shqetësimin për mungesë të furnizimeve,” tha ai.
Rusia goditi me raketa infrastrukturën kritike në rajonin perëndimor të Ukrainës, Lviv, në një sulm të madh ajror. Moska lëshoi 57 raketa dhe dronë në sulmin që synonte kryeqytetin Kiev, dy ditë pas bombardimit më të madh ajror të sistemit energjetik të Ukrainës në më shumë se dy vjet luftë në shkallë të plotë.
Masa vjen pas sulmeve të fundit të Ukrainës ndaj infrastrukturës ruse të naftës, me të paktën shtatë rafineri të shënjestruara nga dronët vetëm këtë muaj.
Në Lindjen e Mesme, forcat izraelite rrethuan dy spitale të tjera të Gazës të dielën, duke bllokuar ekipet mjekësore nën të shtëna me armë zjarri, tha Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze. Izraeli tha se kishte kapur 480 militantë në përleshjet e vazhdueshme në spitalin kryesor Al Shifa të Gazës.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken i tha kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu të premten se Izraeli rrezikon izolimin global nëse sulmon qytetin palestinez Rafah në Rripin e Gazës./Reuters
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




