Gazeta Si – Deri në momentet e fundit para ndeshjes me Kilin, askush nuk e dinte me siguri kush do të luante në sulm. Kishte një balotazh Cikalleshi-Broja, në fund Silvinjo zgjodhi Manajn dhe kjo ishte lëvizja më e papritur e brazilianit.
Ndoshta ai ka menduar që Broja jetë titullar të hënën ndaj Suedisë, testit të dytë në kuadër të Europianit të Gjermanisë. Gati është edhe Cikalleshi, i cili nuk luajti asnjë minutë me Kilin, por kavajasit trajneri nuk ka çfarë t’i shohë, sepse e njeh shumë mirë.
Formacioni kuqezi mund të pësojë edhe ndryshime të tjera në Suedi. Nëse Berisha rikuperohet në kohë, mund të luajë titullar në portë. Katër mbrojtësit qëndruan në fushë për 90 minuta ndaj Kilit dhe logjikisht pritet që ndonjëri prej tyre të pushojë të hënën.
Balliu pritet të marrë vendin e Hysajt, Kumbulla ose Veseli mund të zëvendësojnë Mihajn në qendër. Muçolli dha disa sinjale pozitive për aq sa luajti kundër Kilit dhe mund të marrë më shumë minutë në testin e dytë.
Një tjetër ndryshim i mundshëm mund të jetë aktivizimi i Muçit në vend të Bajramit, me këtë të fundit jashtë forme. Keidi Bare po ashtu është një nga ata që mund të testohen nga trajneri Silvinjo pas dy ditësh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.