Nga Gazeta ‘Si’- Emisari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi Miroslav Lajçak, ka thënë se kryeministri Albin Kurti nuk do ta çojë Kosovën drejt një izolimi.
I pyetur nga La Stampa se cila nga fuqitë ndërkombëtare mund ta frenojë Kurtin, ai u përgjigj se SHBA-ja dhe BE-ja qëndrojnë në një linjë dhe Kurti i di mirë pritshmëritë e tyre.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës qëndrojnë saktësisht në linjë me ne. Kurti e di. E di se cilat janë pritshmëritë. E di që për Kosovën është ekstremisht e rëndësishme të ketë një mbështetje të fortë ndërkombëtare, sepse pikërisht një gjë të tillë Kosova e ka gëzuar nga fillimi. Nuk kam dyshim që do të jetë mjaftueshëm i përgjegjshëm që të mos e fusë vendin e tij në rrezik të një izolimi. Kështu ai po nxjerr përfundimet e duhura”, ka deklaruar Lajçaku.
Media italiane e ka pyetur Lajçakun edhe mbi strategjinë e tij për dialogun në muajt në vijim, ndërsa ai është përgjigjur: “Para se gjithash, Kosova dhe Serbia duhet t’i normalizojnë raportet. Bashkimi Europian e lehtëson procesin. Është shumë e rëndësishme që të niset para zgjedhjeve evropiane, sepse më pas Bashkimi Evropian do të hyjë në një periudhë të tranzicionit. Pastaj Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të shkojnë në zgjedhje. Nuk do të jetë ky momenti për të marrë vendime”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




