Gazeta Si – Ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, Lorik Cana, ka folur së fundi për median kiliane “AS Kili” në lidhje me testin e sotëm që kuqezinjtë luajnë kundër Kilit në Parma.
“Nuk jemi mësuar të luajmë me kombëtare nga Amerika e Jugut dhe mendoj se do të jetë një ndeshje interesante. Është një test i mirë për të përgatitur Europianin”, – shprehet Cana.
Ish-mbrojtësi që ishte pjesë e kuqezinjve në Europianin e Francës, në 2016-ën, mes të tjerash ka theksuar se Kombëtarja shqiptare ka një skuadër shumë të mirë. Ai ka veçuar edhe disa emra, që sipas tij, janë e ardhmja e Shqipërisë.
“Kemi një Kombëtare të re dhe shumë të mirë. U renditëm të parët në grupin tonë të kualifikueseve Euro 2024. Kemi shumë lojtarë, të cilët luajnë në klube të mira në Europë dhe kemi një të ardhme shumë të mirë përpara, me lojtarë si Strakosha, Kumbulla, Mitaj, Balliu, Asllani dhe Broja”, – ka theksuar Lorik Cana.
Më tej ish-kapiteni ka përmendur edhe emrat më të mëdhenj që njeh nga Kili: “Jam rritur duke parë Ivan Zamoranon te Real Madrid. Ai është i pari që më vjen në mendje. Kam luajtur te Lacio dhe më kujtohet që aty përmendej një legjendë, si Marselo Salas.
Kam luajtur kudër një lojtari të nivelit të lartë, si Arturo VIfal. Ai është lojtar i madh, një luftëtar i vërtetë në fushë. Ka fituar shumë në Itali dhe me çdo skuadër ku ka shkuar. Edhe Aleksis Sançez është një lojtar fantastik. Doja të qëndronte më shumë në Marsejë, kishte mentalitetin e duhur për një klub dhe një qytet me aq shumë pasion, si Marseja”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.