Politike

Rama për Ahmetajn: S’hyj në debat me një person në kërkim. Kush do të bëjë një rrugë e dy punë të shkojë tek vendi (SPAK)

Kryeministri Edi Rama nuk tha asgjë lidhur me deklaratat e ish-zëvendëskryeministrit në arrati Arben Ahmetaj

Në një intervistë në ‘Opinion’, Rama u shpreh se nuk bën komente për të gjitha çështjet e drejtësisë dhe as për një njeri në kërkim nga drejtësia.

“Si mund të bëj koment për të. Çfarë komenti kërkon të bëj unë? Të hyjë në debat me një njeri në kërkim nga drejtësia. Që në kohën e romakëve është ndarë kjo punë, barra e provës i takon atij që ngre akuza”, tha Rama.

Rama foli edhe për akuzat e opozitës, ndërsa u shpreh se “kjo është një mënyrë e të bërit politikë që e ka dërrmuar Shqipërinë dhe u ka dhënë shembullin të rinjve se si të jenë harbutë”.

“Flas për akuzat kriminale që i bëhen familjarëve të mi për shkak të luftës politike me mua. Nëse të bezdis retorika ime bëje ti më të mirë. Si shkon te familja, nuk lë gur të shtëpisë, të vdekur e të gjallë pa kthyer përmbys? Unë vetë këtë gjë nuk e kam bërë. Beteja politike është mes atyre që merren me politikë”, tha Rama.

“Nuk kam akuzuar për fakte penale familjarët e dikujt. Kurrë nuk kam akuzuar”, u shpreh Kryeministri. Rama nuk harroi t’i kujtonte SPAK sërish se janë aty falë votës që dha PS-ja në Kuvend.

“Përgjegjësia ime është ajo e udhëheqjes së këtij vendi për të dalë njëherë e mirë pa kthim nga një histori e dhimbshme. Përgjegjësia ime është që ajo që kemi nisur duke i dhënë jetë SPAK të mos ndalet. Kam përgjegjësinë që njerëzit që më kanë votuar mua të shikojnë se këtu nuk ka të paprekshëm. Kush ndan me mua qëllimet e përbashkëta është i nderuar. Kush do të bëjë një rrugë e dy punë, edhe qëllimet e të kapi ndonjë gjë për vete të shkojë atje te vendi”, tha Rama.

Sipas tij, “për herë të parë në shtetin shqiptar u desh PS që në Shqipëri të ketë figura të larta politike të lidhura me pushtetin politik ose jo, të shkojnë para drejtësisë”.

“Për këtë punë e kemi lindur e mbështetur SPAK. Ne do të mbështesim vendosmërisht SPAK me çdo lloj çmimi. SPAK ka punën e vetë”, tha Rama.

Edhe për PD-në e Rithemelimit mbajti të njëjtin qëndrim.

“Nuk kemi bërë asnjë marrëveshje. Dolën të bënin një revolucion pa kthim, morën gjithë fishekzjarret i ndezën në parlament, morën karriget dhe thanë që kurrë më nuk do ulen aty nëse nuk dorëzohet ky. Dhe kuptuan të thjeshtën fare që nuk kishin më asnjë mundësi tjetër përveçse mos të rrinin më në këmbë”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se “nuk bëmë asnjë marrëveshje dhe nuk i kemi dhënë gjë tjetër veç asaj që i kemi thënë që në fillim: ‘bëjmë komisione hetimore sa të doni ju, por do t’i shkruani si njerëz të civilizuar që respektojnë kornizën kushtetuese”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë