Drejtësia

SPAK mbyll hetimet: Akuzat ndaj Arben Ahmetajt, Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit për inceneratorin e Elbasanit

Gazeta Si - SPAK ka përfunduar hetimet dhe i ka komunikuar akuzat ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit, të tre të shpallur në kërkim, për aferën e inceneratorit të Elbasanit.

Ish numri dy i qeverisë, është marrë i pandehur nga SPAK për akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë. Tashmë dosja pritet t’i kalojë Gjykatës së Posaçme.

Sipas SPAK, ish zv.kryeministri, tashmë në arrati, ka përfituar ryshfet nga bosët e inceneratorëve, si pasuri të paluajtshme dhe në formën e dhuratave apo pagesës së udhëtimeve.

"Prokuroria e Posaçme ka nisur komunikimin e akuzave ndaj Arben Ahametajt, Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirin, lidhur fraksionin e ndarë të inceneratorit të Elbasanit. Ahmetaj është nën hetim për procedimin penal 277/1 për veprat penale pastrim parash, korrupsion në 6 raste dhe fshehje pasurie. Gjatë hetimeve pas kallëzimeve që u bënë ndaj tij, se ka përfituar dhurata e udhëtime të paguara nga administratorët e inceneratorëve, u ngritën 3 akuza teksa u shpall në kërkim ndërkombëtar. Lidhur procedimin e parë për grupin e zyrtarëve mes të cilëve edhe ish-ministri i mjedisit Lefter Koka, GJKKO ka përfunduar gjykimin duke dhënë edhe dënimet përkatëse", - thuhet në njoftim. Ahmetaj është nën hetim për veprat penale pastrim parash, korrupsion në 6 raste dhe fshehje pasurie.

Në tetor 2023, ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka, u dënua nga GJKKO me 5 vjet e 8 muaj burg si dhe iu sekuestrouan aksionet në kantinën e pijeve në Durrës në vlerën e korrupsionit, 3.7 milionë euro.

Për të njëjtën çështje, ish-deputeti Alqi Bllako u shpall i pafajshëm. Në total, GJKKO dha 33 vjet burg për tetë të pandehurit e kësaj dosjeje.

Prej 24 korrikut 2023, Arben Ahmetaj vijon të jetë në kërkim ndërkombëtar pasi akuzohet për “mosdeklarim, deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë”, vetëm dhe në bashkëpunim, “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në gjashtë raste, “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Më herët, SPAK e ka marrë të pandehur Ahmetajn dhe për dosjen e privatizimit të ish-shoqërisë "Buka". Për këtë dosje, GJKKO vendosi pezullimin e procesit për një vit, për shkak se Ahmetaj ndodhet në mungesë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë