Ka ndodhur

I riu kapet me mina të fshehura në trup, dyshohet se do ia shiste grupeve kriminale

Gazeta Si- Një 24-vjeçar është arrestuar në Lezhë, pasi u kap me 2 mina me lëndë plasëse C4, të cilat i kishte të fshehura në trup.

Policia thotë se Arkil Selimi po i transportonte ato drejt Lezhës, ku do tua shiste grupeve kriminale.

Ky shtetas po udhëtonte nga Fushë-Kruja drejt Lezhës me minat me telekomandë me vete. Policia kishte informacione nga inteligjenca policore për 24-vjeçarin dhe qëllimin e tij.

Gjatë kontrollit fizik, të riut iu gjetën të fshehura në trup 2 mina me telekomandë, me lëndë plasëse C4, për shpërthim në distancë. Nga hetimet e deritanishme dyshohet se ai i montonte vetë minat me qëllim shitjen grupeve kriminale.

Në përfundim të veprimeve të para procedurale u bë arrestimi në flagrancë i 24-vjeçarit, banues në Fushë Krujë. Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit, si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë