Nga Gazeta ‘Si’-Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se të gjitha problemet të cilat mund të kenë qytetarët serbë, Qeveria e Kosovës do t’i adresojë me shpejtësi.
Në një intervistë dhënë për Radion Evropa e Lirë, Kurti thotë se nga takimi i sotëm në Bruksel pret gjëra konkrete. Ai thekson se ka pasur vazhdimisht opsione të ndryshme për çështjen e dinarit. Kurti nuk deshi të flasë për propozimet e mundshme të zgjidhjes së çështjes, pasi, sipas tij, dëmtohet pozicioni negociator i Kosovës nëse ato shpalosen para kohe.
Ai, megjithatë, tha se ky është një proces që po vazhdon, “por nuk ka propozime që pranohen nga ana jonë që janë në kundërshtim me rregulloren e re të BQK-së”.
Radio Evropa e Lirë: Zoti kryeministër, në Bruksel po zhvillohen takime në nivel të kryenegociatorëve. Është paralajmëruar se do të bisedohet për çështjen e dinarit. Ndërsa, presidentja e Kosovës paralajmëroi dje (18 mars) se ka një pajtim për një pjesë të propozimit amerikan. A mund të na tregoni se për çfarë bëhet fjalë?
Albin Kurti: Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, si kryenegociator i Republikës së Kosovës ndodhet në Bruksel dhe atje po i zhvillon bisedimet, me ç’rast nuk e di nëse do të ketë takim trelateral apo vetëm dy takime bilaterale me ndërmjetësin evropian dhe emisarin e posaçëm të BE-së, Mirosllav Lajçak. Besoj se ai duhet të na njoftojë se për çfarë temash është diskutuar saktësisht dhe çfarë konkluzionesh do të mund të jenë arritur.
Por, më duhet të them se kjo nuk është çështje e dinarit, është çështje e Bankës Qendrore të Kosovës, institucion i pavarur i Republikës sonë. Pra, nuk është në pyetje a të ketë dinar ose jo, por a duhet të jetë BQK-ja institucion i pavarur ose jo. Unë besoj që duhet të jetë dhe ky është obligim yni kushtetues e ligjor. Dinari nuk është ndaluar në Kosovë, por Kushtetuta në nenin e saj të 11-të thotë që mund të ketë vetëm një valutë si mjet pagese dhe kjo duhet të jetë euro.
Ndërkohë, të gjitha problemet, të cilat mund t’i kenë qytetarët serbë, ne do t’i adresojmë me shpejtësi. Sërish, Banka Qendrore e Kosovës e cila prin në këtë proces – meqenëse rregullorja e saj e re e datës 27 dhjetor është vendim i pavarur i Bankës Qendrore – ajo i adreson me ta dhjetë hapat të cilët i ka paraparë në një plan me fazë transitore tremujore. Tash, do të bëhen tre muaj më 27 mars dhe unë besoj që të gjithë ata që kanë parashikuar apokalipsin më 1 shkurt, nuk ndodhi as më 1 shkurt, as më 1 mars, e nuk do të ndodhë as më 1 prill.
Radio Evropa e Lirë: Për çfarë mendoni që e pati fjalën presidentja Vjosa Osmani kur tha që ka një pajtim në atë që është thënë nga amerikanët?
Albin Kurti: Tash, unë e kam kryenegociatorin atje dhe besoj që ai do të diskutojë në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku jemi, me çka mund të ecim përpara. Por, unë gjithashtu e marr përgjegjësinë që pasojat e caktuara, të cilat mund të shkaktohen në terren, mund të jenë çështje e Qeverisë. Jo vendimi si i tillë, i cili është sovran i Bankës Qendrore të Kosovës, por edhe një herë, ne vetëm bëjmë zbatimin e ligjit dhe Kushtetutës në terren. Nëse ka pasoja të caktuara që u referohen ministrave tanë për çështjen e dinarit. Por, unë besoj që duhet të përfundojë ky raund takimesh që të mund të flasim saktësisht.
Radio Evropa e Lirë: A prisni që do të ketë diçka konkrete sot?
Albin Kurti: Unë gjithmonë pres që do të ketë diçka konkrete.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë?
Albin Kurti: Unë pres që do të ketë në aspektin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sepse takimet, edhe të nivelit të kryenegociatorëve, edhe të nivelit të lartë që zhvillohen në Bruksel, zhvillohen pikërisht për këtë gjë.
Radio Evropa e Lirë: Dua të kthehem prapë tek ajo që e thashë më herët. Presidentja ka thënë se ka një lloj pajtimi për këtë gjë. A jeni konsultuar me presidenten?
Albin Kurti: Ka pasur vazhdimisht opsione të ndryshme për çështjen e dinarit. Unë nuk besoj që duhet të diskutohen tash, sepse dëmtohet pozicioni negociator i Kosovës nëse ato shpalosen para kohe. Ajo çfarë mund të them është që Qeveria po e bën më të mirën e mundshme, me përkushtim maksimal dhe natyrisht që këtë ne e kemi si mbështetje për rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës. Nuk ka kurrfarë ndëshkimi për serbët. Pra, rregullorja e re nuk është ndëshkim, por është një përpjekje e radhës shumë serioze për të bërë formalizimin, legalizimin e transaksioneve financiare.
Ju e dini që ne kemi ndarë një buxhet për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Ne e dërgojmë atje ndihmën financiare në euro, ndërkaq në banka atje merret në dinarë. Ngjashëm do të mund të ishte edhe këtu. Pra, ajo dërgesa që vjen në dinarë, do të mund të merrej në euro.
Radio Evropa e Lirë: A do të ndodhë kështu edhe në Kosovë?
Albin Kurti: Po, kështu do të ndodhë dhe kështu tashmë po ndodh sepse kemi diku mbi 33.000 xhirollogari të serbëve të Kosovës ku ata i marrin eurot e buxhetit të Republikës si ndihmë sociale, si pension, shtesa për fëmijë në xhirollogaritë e nënës e kështu me radhë. Dhe, nuk kemi asnjë serb deri më sot që ka thënë ‘unë e refuzoj euron’. Nuk ka. Gjithashtu, dinari nuk ka asnjë martir. Pra, asnjë serb nuk thotë ‘o dinar, o asgjë’.
Radio Evropa e Lirë: Por, a është pajtuar Serbia që ta bëjë këtë pagesë në euro?
Albin Kurti: Serbia e ka shansin unik që guvernatori i Bankës Popullore të Serbisë t’i përgjigjet guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili – dhe në këtë mënyrë dy bankat qendrore ta rregullojnë çdo paqartësi.
Pra, njëra ndër opsionet për zgjidhjen e kësaj çështjeje, për të cilën janë të njoftuar edhe partnerët ndërkombëtarë, është që më në fund guvernatori Ismaili të marrë letrën e përgjigjes.
Radio Evropa e Lirë: Zoti kryeministër, na thatë që janë diskutuar disa çështje me faktorin ndërkombëtar, por që nuk mund të na i thoni tash. Çfarë propozimesh ka pasur nga i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar?
Albin Kurti: Ata japin vazhdimisht propozime. Unë nuk është e thënë që propozimet e tyre t’i shpalos publikisht duke bërë zëdhënësin e ambasadave. Nuk e bëj dot këtë punë. Unë po tregoj që ne i kemi ofruar një letër Bankës Popullore të Serbisë nga ana e guvernatorit, që në këtë rast na përfaqëson të gjithëve si qytetarë të Republikës, juve si gazetarë, mua si kryeministër dhe ne presim përgjigje nga ana tjetër.
Radio Evropa e Lirë: Dhe, prisni përgjigje…
Albin Kurti: Për opsionet që kanë dhënë amerikanët, gjermanët, e të tjerët, unë besoj që duhet të flasin ata vetë.
Radio Evropa e Lirë: Do të thotë që propozimet që janë dhënë nga Escobar nuk janë refuzuar?
Albin Kurti: Shikoni, është një proces që po vazhdon dhe propozime ka, disa. Por, nuk ka propozime që pranohen nga ana jonë që shkojnë në kundërshtim me rregulloren e re të BQK-së dhe njëkohësisht ne mund të merremi vetëm me pjesën e mbështetjes në terren nëse ka probleme. Sepse problemet që mund të shkaktohen, jo domosdo do të mund t’i zgjidhë të gjitha vetë Banka Qendrore e Kosovës. Në Republikën demokratike janë detyrat dhe funksionet e ndara.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë ndryshoi në Qeverinë tuaj që kjo çështja e dinarit të kthehet në dialog?
Albin Kurti: Me datën 27 dhjetor u miratua rregullorja e re. Asnjë reagim. Më shumë se dy javë, asnjë reagim.
Radio Evropa e Lirë: Nga kush?
Albin Kurti: Nga Serbia dhe ndërkombëtarët, asnjë reagim. Nga serbët e Kosovës, asnjë reagim. Një ditë para se të shkoj unë në Davos, në Forumin Ekonomik Botëror, presidenti i Serbisë, që kishte shkuar një ditë para kohe, jep kumtin, lajmin e rëndë se më 1 shkurt do të fillojë katastrofa në Kosovë për komunitetin serb. Ai, kur e pa që në terren s’po ka reagim për çështjen e zëvendësimit të dinarit me euron si mjet pagese, atëherë filloi që të bëjë parashikime apokaliptike.
Vetëm më pas, ambasadorët e huaj filluan ta takojnë guvernatorin Ismaili, ministrin e Financave, Hekuran Murati, zëvendëskryeministrin Bislimi, mua e kështu me radhë. Pra, vetëm më pas. Absolutisht, derisa nuk ka folur presidenti i Serbisë, nuk ka pasur kurrfarë problemi në Kosovë.
Dhe, ai ka folur sepse e ka vërejtur që përgatitjet po shkojnë në rregull. Presidenti i Serbisë ka shpresuar që do të ketë reagim nga poshtë. Kur e ka parë që s’ka reagim nga poshtë, atëherë ka reaguar nga lart. Pra, kur i ka dështuar këmbësoria, ka përdorur artilerinë. Andaj, jemi në këtë problem. Tejreagimi dhe bullingu nga Beogradi, është shkaktari i problemeve, jo rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës.
Kjo u bë edhe më e rëndë atëherë kur në fund të muajit janar për të njëjtën çështje, njësoj sikurse Vuçiçi foli edhe zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë Maria Zakahrova nga Kremlini. Kur Vuçiçit iu bashkua edhe Maria Zakharova, atëherë edhe alarmimi i ndërkombëtarëve u bë edhe më i madh.
Pra, kurrfarë katastrofe s’ka pasur as më 1 shkurt, as më 1 mars, as nuk do të ketë më 1 prill. Por, alarmimi, shqetësimi po ndodh në Beograd dhe në Moskë dhe më pastaj jehona e këtij shqetësimi po dëgjohet edhe në Kosovë.
Radio Evropa e Lirë: Si u përgjigjeni kritikave të faktorit ndërkombëtar që thonë se nuk u është dhënë kohë e mjaftueshme serbëve që jetojnë në Kosovë që të adaptohen, do të thotë nga kalimi i përdorimit të valutës së dinarit në euro?
Albin Kurti: Së pari, bëhet fjalë për një adaptim, i cili është më shumë se dy dekada. Nga viti 1999 ne e kemi markën gjermane dhe nga 1 janari i vitit 2002 ne e kemi euron si valutë në vendin tonë. Nga 1 janari i vitit 2002 ka pasur fazë transitore të adaptimit, të përshtatjes. Nëse më shumë se dy dekada nuk kanë mjaftuar, e unë besoj që kanë mjaftuar, atëherë për çdo shqetësim eventual janë edhe tre muaj shtesë të Bankës Qendrore të Kosovës me ata dhjetë hapat, të cilët ajo i ka paraparë.
Edhe një herë po e theksoj, nuk ka as refuzues të euros e as martir të dinarit në vendit tonë.
Radio Evropa e Lirë: A ka pasur nxitim për këtë çështje, për këtë vendim?
Albin Kurti: Nuk ka pasur kurrfarë nxitimi, ka pasur vonesë mund të thuhet sepse neni 11 i Kushtetutës së Kosovës thotë që padyshim se duhet të ketë vetëm një valutë si mjet pagese. Në anën tjetër, e ashtuquajtura Komercijalna Banka, e cila si degë ka vepruar në Kosovë, ka ngelur pa mëmën e vet, meqenëse ajo i është shitur Nova Ljubjanksa Bankas, NLB-së së Sllovenisë.
Dhe, tri opsione i ka pasur Komercijalna Banka në Kosovë nga Banka Qendrore e Kosovës dhe e ka zgjedhur njërën prej tyre, vetëlikuidimin. Vetëlikuidimi ka përfunduar vitin e kaluar. Tash, kur kanë ngelur pa Konerciajlna Bankën, ata për aktivitetet e tyre ilegale financiare, për financimin e terrorizimit, që u vërtetua vitin e kaluar se e kanë bërë, iu ka ngelur vetëm keshi, paraja e gatshme.
Pra, i gjithë problemi në fakt nuk është euro-dinar, por është transparencë apo mungesë e transparencës, kanale zyrtare financiare bankare dhe jobankare apo thasë me dinarë kesh. Ata e duan këtë të dytën, sepse pluralizmi politik në Kosovë në mesin e komunitetit serb është mbytur me paranë kesh që vjen nga Beogradi. E, paranë kesh ne nuk mund ta lejojmë.
Pra, dinari kesh që ka ardhur me thasë në Kosovë nuk po hyn më dhe sikleti i Beogradit nuk është që serbët nuk mund ta përdorin euron, por që ata nuk mund ta dërgojnë dinarin. Vetëm vëreni intervistat e presidentit të Serbisë ose të ministrave të Qeverisë atje.
Çdoherë kur flasin, flasin në euro. Flasin në euro për projektet kapitale, e flasin në euro edhe kur lëshojnë me qira banesat e tyre në Beograd. Pra, gjithmonë flasin në euro. Ata dëshirojnë që dinarin ta kenë për thasët me para të gatshme që përfundojnë te njerëzit që i raportojnë Millan Radoiçiçit.
Radio Evropa e Lirë: A keni pasur rast të takoheni me përfaqësuesit e komunitetit serb për t’i folur këto çështje?
Albin Kurti: Shikoni, unë e kam ministër Nenad Rashiçin. Ai e ka zëvendësministër Radoica Radomiroviçin. Unë jam kryeministër i Republikës së Kosovës që e ka një ministri të respektuar me buxhetin më të lartë për nga rritja, përveç Ministrisë së Kulturës, Sportit dhe Rinisë… Nenad Rashiçin, që është edhe politikani më i popullarizuar serb në vendin tonë. Pra, jo vetëm ministri e zëvendësi i tij, por edhe institucionet e tjera kanë serbë, me të cilët unë komunikoj dhe bashkëpunoj.
Radio Evropa e Lirë: Pas periudhës tranzitore, që janë diku edhe katër-pesë javë, çfarë do të ndodhë? A do të munden serbët ta përdorin dinarin në Kosovë?
Albin Kurti: Do të mund të kesh kursime në dinarë, askush nuk të ndalon. Mund të marrësh pagesa nga Serbia si ndihmë financiare në dinarë. Por, mjet pagese në Kosovë është euroja. Besoj tash e keni parë, në veri të Kosovës, në restorante, në meny e keni edhe në euro, edhe në dinarë. Dikur ka qenë vetëm në dinarë.
Unë besoj që ngadalë, por sigurt, po shkojmë drejt euros si valutë, që është i vetmi mjet pagese. Dhe, le të mos harrojmë që unë nuk po iu them serbëve që si mjet pagese ta përdorin lekun e Shqipërisë dhe as nuk po u them ta përdorin valutën e re “dardanë” të Republikës së Kosovës, por euron.
Andaj, edhe ne kemi propozuar, por nuk është pranuar, që takimi ndërmjet guvernatorit Ismajli dhe homologes së tij nga Serbia të zhvillohet në Frankfurt, te Christine Lagarde presidentja e Bankës Qendrore Evropiane ku është Banka Qendrore Evropiane. Euro, Evropa… Këtë po themi ne.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.