Njerez

Vdekshmëria foshnjore në rënie në Shqipëri, OBSH: Niveli më i ulët historik në botë

Nga Gazeta Si- Për herë të parë, vdekshmëria foshnjore në Shqipëri ka rënë në 4.6 % rënie vjetore nga viti 1990 deri në vitin 2022 për fëmijë nën 5 vjeç.

Nga një rekord prej 41 vdekje për 1.000 lindje, Shqipëria ka zbritur në 27 në vitin 2000 dhe në 9 vdekje për 1.000 lindje në 2022.

Gjithashtu, ka një rënie të lehtë edhe në vdekshmëritë foshnjore dhe neonatale.

Nga ana tjetër, sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat, Shqipëria ka normën e lindjeve ndër më të ulëtat në Europë për 2022, duke lënë pas vetëm Spanjën.

Shqipëria kishte një indeks fertiliteti 1.21 fëmijë për grua ndërkohë që Spanja kishte një indeks 1.16 fëmijë për grua.

Edhe në rang global, vdekshmëria foshnjore ka regjistruar nivelin më të ulët historik gjatë vitit 2022. Gjatë këtij viti kanë humbur jetën 4,9 milionë fëmijë nën 5 vjeç, duke bërë që vdekshmëria e fëmijëve nën 5 vjeç të bjerë me 51% që nga viti 2000.

Megjithatë, në vitin 2022, gati gjysma (47%) e të gjitha vdekjeve tek fëmijët nën 5 vjeç kanë ndodhur në periudhën e të porsalindurit (28 ditët e para të jetës), e cila është ndër më të rrezikuarat dhe kërkon kujdes cilësor të intensifikuar.

Afrika Sub-Sahariane kishte shkallën më të lartë të vdekshmërisë neonatale në botë me 27 vdekje për 1.000 lindje të gjalla, e ndjekur nga Azia qendrore dhe jugore, me një shkallë të vdekshmërisë neonatale prej 21 vdekjesh për 1.000 lindje të gjalla.

Lindja e parakohshme, komplikimet e lindjes (asfiksia/trauma e lindjes), infeksionet neonatale dhe anomalitë mbeten shkaqet kryesore të vdekjeve neonatale.

Sipas ekspertëve të Shëndetësisë, fëmijët që jetojnë në mjedise të prekura nga konflikti, kanë 3 herë më shumë gjasa të humbin jetën sesa fëmijët në vende të tjera.

Fëmijët që vdesin brenda 28 ditëve të para të lindjes vuajnë nga kushte dhe sëmundje që lidhen me mungesën e kujdesit cilësor në lindje ose me kujdesin dhe trajtimin e kualifikuar menjëherë pas lindjes dhe në ditët e para të jetës.

Gratë që marrin kujdesin e vazhdueshëm të udhëhequr nga mamitë e arsimuara kanë 16% më pak gjasa të humbasin foshnjat e tyre dhe 24% më pak të ngjarë të përjetojnë një lindje të parakohshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë