Gazeta Si – Prania e mbrojtësit Ardian Ismajli në dy miqësoret me Kilin dhe Suedinë është vënë në dyshim. Lojtari shqiptar i Empolit pësoi një dëmtim muskulor në ndeshjen me Milanin dhe duket se kërkon pak kohë për rikuperimin.
Bëhet fjalë për një zgjatje të muskulit të këmbës dhe sipas të gjitha gjasave, Ismajli nuk do të luajë në ndeshjen e fundjavës me Bolonjën në kampionat.
Trajneri Silvinjo do të shpallë të premten listën e lojtarëve të grumbulluar për miqësoret me Kilin dhe Suedinë, që luhen më 22 dhe 25 mars. Emri i Ismajlit pritet që të jetë në listë fillimisht, pastaj, nëse ai nuk do të jetë gati për lojë, mund të zëvendësohet.
Shtypi italian shkruan se Empoli shpreson që ta ketë gati futbollistin shqiptar pas ndërprerjes së kampionatit nga impenjimet e kombëtareve. Kjo do të thotë se dëmtimi nuk është serioz, por gjithsesi nuk mund të rrezikohet në të tilla situata.
Ismajli është një nga titullarët më të rëndësishëm të Kombëtares, një pikë kyçe e formacionit gjatë eliminatoreve të Europianit, të mbyllura me vendin e parë në grup dhe pjesëmarrjen e dytë në histori në një event kaq të madh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.