Ka ndodhur

Atentati në Shkodër, autorët qëlluan rreth 80 plumba. Dëshmia e të plagosurve: U fshehëm pas makinës

Gazeta Si - Kur kanë kaluar më shumë se 13 orë nga atentati në fshatin Grudë e re në Shkodër, policia vijon hetimet në gjurmimin e autorëve të dyshuar, ku u plagosën 28-vjeçari Gjergj Ndërshtiqaj dhe 30- vjeçari, Gjon Nika.

Dy të plagosurit e atentatit që ndodhi mbrëmjen e së martës kanë dëshmuar në polici se nuk i kanë parë autorët, pa arritur t’i identifikojnë.

Sipas tyre, ata kanë mundur të shpëtojnë vetëm duke u fshehur prapa ku po udhëtonin, deri kur mbaroi breshëria e armëve, teksa theksojnë se nuk kanë konflikte me persona të tjerë.

Gjergj Ndërshtiqaj

“Sapo zbritëm nga makina dëgjuam të shtëna armësh. Nuk kemi arritur që të shohim se kush ishin ata që na qëlluan me armë. Nuk kemi konflikte me persona të tjerë dhe nuk e dimë arsyen përse na qëlluan. Në momentin kur nisën të shtënat kemi lëvizur me shpejtësi duke u munduar të shpëtojmë. Derisa janë larguar qëndruam pas makinës”, kanë thënë të plagosurit në dëshminë e tyre.

Ndërkohë, vendngjarja i ngjason një skene lufte për nga moria e arsenalit të plumbave që janë derdhur në drejtim të dy të plagosurve.

Më shumë se 80 gëzhoja kallashnikovi u gjetën në vendngjarje, çka do të thotë se autorët kanë zbrazur rreth tre karikatorë.

Sipas dëshmitarëve, kanë qenë 4 persona që morën pjesë në atentat, nga të cilët 3 qëllonin me armë. Kamerat e sigurisë pranë lokalit nuk kanë fiksuar pamje të qartë të autorëve, teksa këta të fundit dyshohet se kanë qenë të maskuar.

Në makinën e djegur që kishin lënë pas autorët, grupi hetimor gjeti edhe 3 armët kallashnikov të përdorur në atentat, që janë dërguar për ekspertim.

Ndërkohë, policia ka shoqëruar 20 persona në lidhje me këtë ngjarje, por nuk ka ende të dhëna për identitetin e autorëve.

Nga atentati mbrëmjen e së martës në Grudë të Re mbetën të plagosur kunetërit Gjon Nika 30 vjeç dhe Gj.Ndërshtiqaj 28 vjeç, ky i fundit student në Akademinë e Sigurisë.

Objekt i atentatit dyshohet se ishte Nika. Ata morën nga një plumb në trup, duke shpëtuar mrekullisht. Gjendja e tyre paraqitet jashtë rrezikut për jetën.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë