Nga Gazeta ‘Si’- Departamenti Amerikan i Shtetit tha se është në dijeni të raportimeve të mediave për takimin mes Marko Gjuriç, ambasadorit serb në Shtetet e Bashkuara dhe Milan Radoiçiç, i cili është në listën e zezë të SHBA-së për përfshirje në krimin e organizuar ndërkombëtar.
“Ne kemi një qëndrim të qartë për zotin Radoiçiç. Ai ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Banjskë, përmes avokatëve të tij. Ai është një kriminel që duhet të mbahet përgjegjës”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të Departamentit Amerikan të Shtetit, për Radion Evropa e Lirë.
Shtohet se Serbia duhet të nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit për sulmin “e kryer nga strukturat paraushtarake në Banjskë të Kosovës, që rezultoi me vdekjen tragjike të një rreshteri të Policisë së Kosovës”.
Në rrjetin social X është publikuar më 9 mars një fotografi ku shihet Marko Gjuriç, ambasadori aktual i Serbisë në Uashington dhe Milan Radoiçiç, ish-nënkryetari i Listës Serbe, i cili është në listën e sanksioneve amerikane.

Në foto Gjuriç dhe Radoiçiç shfaqen së bashku në një restorant. Nuk dihet se kur dhe ku është bërë fotografia, si dhe kush është autori. Gjithashtu nuk dihet nëse fotografia është bërë në kohën kur Gjuriç ishte ambasador i Serbisë në SHBA.
Radio Evropa e Lirë nuk arriti të përcaktonte vërtetësinë e fotografisë.
Marko Gjuriç, i cili pas publikimit të fotografisë tha se nuk duhet të turpërohet për kontaktet e tij, nuk i është përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë për detajet e takimit me Radoiçiçin dhe se kur është bërë fotografia.
Bashkimi Evropian tha më herët më 11 mars se nuk u takon atyre të komentojnë për çdo takim të zyrtarëve serbë, por se “me kë takoheni flet për ju”.
“Sidomos nëse bëhet fjalë për të dyshuar për vepra kriminale,” tha zëdhënësi i BE-së Peter Stano më 11 mars në përgjigje të pyetjes së një gazetari gjatë një konferencë për dialogun midis Serbisë dhe Kosovës në Bruksel.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




