Sport

Boks/ Xhoshua si një uragan, me një të djathtë mposht Nganou pas vetëm 5 minutash

Gazeta Si – Dramë apo farsë? Në mbrëmjen me 3 tituj botërorë në lojë në ‘Kingdom Arena’ të Riadit, ‘Meka e re’ e boksit, ndeshja më e rëndësishme nuk pati asgjë. Megjithatë, gjeneroi dy bursa që mund të shkojnë në 50 milionë dollarë dhe është fronti i ri i boksit, që na mëson kontaminimin mes disiplinave.

Sfida mes dy ish-kampionëve të botës të peshave të rënda, anglezit Antoni Xhoshua, 34 vjeç, dhe kamerunas Frensis Nganou, 37 vjeç (MMA), përfundoi në pak më shumë se 5 minuta, me të dytin që ra pa ndjenja në tapet.

Para syve të ‘Gypsy King’ Tajson Furi, fitoi Xhoshua, siç parashikohej, me një ‘ko’ të tmerrshëm në raundin e dytë. Për të është fitorja numër 28 (25 me ko). Praktikisht, ndeshje nuk pati, ndryshe nga sa ndodhi vitin e kaluar, kur Nganou, në debutimin e tij në boks, hodhi në tapet Furin në raundin e 3-të dhe në fund humbi me pikë.

Këtë herë, diferenca mes një boksieri të vërtetë si Xhoshua dhe 123 kilogramëve muskuj të huazuar në boks të Nganou, ishte e dukshme. Mjaftuan pak sekonda që Xhoshua ta godiste kundërshtarin, që në raundin e parë e hodhi poshtë me një të djathtë e pastaj një të majtë.

Nganou u ngrit, por skena u përsërit në raundin e dytë. Një tjetër e djathtë dhe Nganou humbi ndjenjat. Arbitri ndërpreu menjëherë ndeshjen dhe stafi mjekësor veproi me shpejtësi me oksigjenin për boksierin e traumatizuar.

Duke parë mbylljen, janë shtuar dyshimet për besueshmërinë teknike të ndeshjeve të tilla, të krijuara vetëm për biznes. Rrugën e hapi Majuethër-MekGregor në 2017-ën, pastaj Nganou-Furi në 2023-shin dhe tani kjo ndeshje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë