Ngjarje

Thyhet miti i sigurisë gjermane: Airbus rrezikon Merkelin, humbet G20-n

Liderët më të fuqishëm të botës kanë mbërritur të premten në kryeqytetin e Argjentinës, Buenos Aires, për samitin e G20-ës.

Ky takim i rëndësishëm bashkon udhëheqësit e 20 vendeve më të industrializuara në botë, të cilët do të diskutojnë për një sërë tematikash, duke përfshirë edhe tregtinë dhe ndryshimet klimatike.

“Aventura e Merkelit”

Kancelarja gjermane Angela Merkel humbi hapjen e samitit të G20 në Argjentinë, pasi avioni i saj u detyrua të bënte një ulje urgjente në Këln.

Aeroplani që po transportonte stafin e Merkelit u kthye mbrapsh ndërkohë që po fluturonte mbi Holandë për shkak të mosfunksionimit të disa sistemeve elektronike.   

Gazeta gjermane Spiegel raporton se sistemi i komunikimit të avionit u fik papritur dhe se piloti duhej të përdorte një telefon satelitor për të kontaktuar me kontrollorët e trafikut ajror.

Pas një orë fluturimi në drejtim të Argjentinës për të marrë pjesë në punimet e samitit të G20-s, avioni qeveritar A340 “Konrad Adenauer” me kancelaren, Angela Merkel u desh të ndalej të enjten në mbrëmje  në aeroportin e Kelnit.


Angela Merkel ulet papritur në aeroportin e Këlnit. Ajo nuk mbërriti në kohë për hapjen e G20-ës të premten, pasi avioni i saj bëri një ulje të detyruar.

Situata ka qenë kaq kritike, saqë për vështirësitë në fluturim është njoftuar menjëherë edhe ministrja e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen. Kancelarja gjermane u shpreh të premten në mëngjes me fjalë shumë të mira për kapitenin dhe ekipin e tij. “Kam pasur një ekip shumë shumë të shkëlqyer”. Komandon e ka pasur kapiteni më me përvojë”, tha ajo.
Merkel fluturoi deri në Madrid me avion zyrtar, pastaj me linja deri në Buenos Aires.

Kancelarja do të përpiqet të jetë prezente në programin e mbrëmjes së krerëve të shteteve dhe qeverive të G20-s.

Edhe pse fillimisht u përfol se avioni i kancelares mund të kishte rënë pre e një sulmi kibernetik, forcat ajrore gjermane hodhën poshtë sugjerimet.

Problemi më i madh ishte se avioni ishte i mbushur plot e përplot me lëndë djegëse në momentin e uljes, duke ngritur alarmin se mund të kishte një rrezik shpërthimi. “Der Spiegel” shkruan se pilotët kishin frikë se pista më e gjatë e aeroportit të Këlnit nuk do të ishte e mjaftueshme për uljen e avionit, pasi sistemi i tij i frenimit mund të pësonte një mbinxehje. Delegacioni gjerman u mbajt në aeroplan për pak kohë përpara se zyrtarët të vendosnin të udhëtonin me autobus drejt një hoteli.

Trump kundër të gjithëve

Analistët shprehen se motoja që mbizotëron në këtë samit është “Të gjithë kundër njërit, të gjithë kundër Trumpit”.

Presidenti amerikan anuloi papritur të enjten një takim me Presidentin rus Vladimir Putin të planifikuar të mbahej në Argjentinë, për shkak të mosmiratimit të tij mbi trajtimin që po i bën Rusia, Ukrainës, duke krijuar paqartësi të reja mbi lidhjet SHBA-Rusi.

Postimi i presidentit nga bordi i avionit e Air Force One, pak minuta nga nisja drejt Buenos Aires, për takimin e grupit të G 20-ës, ishte i papritur. Rreth një orë më parë, ai u kishte thënë gazetarëve se ndoshta do të takohej me zotin Putin, duke shtuar se ishte “një periudhë shumë e mirë për të zhvilluar takimin”.

Presidenti Donald Trump dhe Zonja e Parë Melania Trump mbërrijnë në aeroportin ndërkombëtar Ezeiza në Buenos Aires. 

Zoti Trump tha gjithashtu se gjatë udhëtimit drejt Argjentinës do të merrte një raport përfundimtar rreth tensioneve në rajon pas konfiskimit nga Rusia të anijeve ukrainase pranë Krimesë të dielën.

Trump pritet që gjatë qëndrimit në samitin e G20- të takohet me presidentin e Kinës, Xi Jinping për të arritur një marrëveshje bilaterale, ndërkohë që pjesa më e madhe e aletaëve pritet të lobojnë për tregëtinë e lirë

Samiti i G20-s që po zhvillohet në Argjentinë është i pari në Amerikën Latine. Presidenti argjentinas, Mauricio Macri, që lufton në vendin e tij me një krizë të fortë financiare, do që t’ua bëjë më të prekshme problemet e vendit të tij 20 vendeve më të rëndësishme ekonomike të botës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë