Gazeta Si – Ka përfunduar në tragjedi një konflikt për motive pronësie mëngjesin e kësaj të mërkure në fshatin Çukas të Lushnjës, aty ku dy vëllezër mbetën të plagosur, duke qëlluar ndaj njëri-tjetrit me armë zjarri dhe sëpatë.
Disa orë pasi u transportua në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës në Tiranë, 57-vjeçari Hazis Musaj ka ndërruar jetë. Ai u qëllua me pistoletë në kokë nga vëllai i tij i madh, Nazif Musaj.



Ky i fundit, mbeti po ashtu i plagosur, pasi Hazisi e goditi me sëpatë, duke i shkaktuar plagë në dorë e fytyrë.
Konflikti në fjalë ndodhi rreth orës 08:00 të mëngjesit dhe shkak dyshohet se u bë një pronë.
Shkak për ngjarjen është bërë një pjesë toke, e cila ndodhet mes dy shtëpive e vëllezërve, të cilët nuk kanë lejuar njëri-tjetrin të kalojnë me mjetet e tyre.
Referuar informacioneve nga grupi hetimor, fillimisht Hazis Musaj ka goditur me sëpatë të vëllanë, Nazifin, duke i shkaktuar plagë në pjesën e duarve, por pa rrezik për jetën.
Pas një akti të tillë, Nazif Musaj, ka marrë armën dhe e ka qëlluar vëllain në pjesën e kokës me armë.
Ai u dërgua menjëherë në spitalin e Traumës në kryeqytet, por pa mundur të mbijetojë.
“Rreth orës 08:00, në fshatin Qukas i Vjetër, dyshohet se për shkak të konflikteve për motive pronësie, shtetasi H. M. ka goditur me mjet prerës (sopatë), vëllanë e tij, shtetasin N. M., rreth 77 vjeç, ndërsa ky i fundit ka plagosur shtetasin H. M., me armë zjarri pistoletë. Të dy të dëmtuarit janë transportuar në spital, ku janë në kujdesin e mjekëve. Aktualisht, shtetasi H. M. është në gjendje të rëndë shëndetësore. Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, armën e zjarrit pistoletë dhe mjetin prerës (sopatë), të përdorura gjatë konfliktit”, – njofton policia.
Grupi hetimor po punon për të dokumentuar me prova ligjore rrethanat e rastit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




