Gazeta Si - Prokuroria e Durrësit ka vendosur të bëjë eksperimente hetimore për të përcaktuar se cili nga fëmijët Hygerta apo Hysen Meta qëlloi me 4 plumba në drejtim të babait të tyre Pëllumb Meta në ngjarjen që ndodhi javën e kaluar në Shënavlash të Durrësit.
Ky vendim, është marrë për shkak të dëshmive kontradiktore që kanë dhënë fëmijët gjatë hetimeve paraprake.
LEXO EDHE:
- Djali i madh ndryshon qëndrim: Nuk e bëra unë, por motra. Hygerta merr përsipër krimin: Jam penduar
- Vrasja në Durrës / Bie alibia e fejesës së Hygerta Metës nga familja që do lidhte krushqinë: Babai i saj refuzoi
Policia Kriminale në Durrës është duke kryer eksperimente hetimore edhe në banesën e familjes Meta për të përcaktuar këndin e qitjes dhe mënyrën si kanë vepruar fëmijët.
Sipas burimeve paraprake, Hygerta Meta do të dërgohet nga hetuesit në një poligon, do t’i vihet përballë një pistoletë TT, e njëjtë me atë që u përdor në vrasjen e Pëllumb Metës.
Ajo duhet të demostrojë para ekspertëve se është e aftë për të përdorur armën dhe më pas për të qëlluar.
Ndërkohë eksperimenti tjetër ka të bëjë me mënyrën si u hap gropa ku u gjet i varrosur kryefamiljari Meta dhe kohën që mund t’i duhet dikujt për të hapur një gropë të atyre përmasave.
Po ashtu Pëllumb Meta iu kishte thënë fëmijëve se do të shiste tokën që ndodhej në zonën industriale, por që atyre nuk do t’u jepte para.
Pëllumb Meta u denoncua si i zhdukur nga djali Hyseni tri ditë pasi e kishin vrarë brenda në shtëpi dhe zhdukur trupin pranë kasolles.
Pas zbulimit të trupit, Hygerta pranoi krimin dhe tha se babai kishte vendosur ta fejonte me një emigrant pa dëshirën e saj.
Ndërsa pretendonte se babai i kishte dhunuar në mënyrë sistematike. Policia arrestoi më pas dy djemtë e viktimës dhe ishte Hyseni djali i madh që pranoi krimin.
Por të dy janë tërhequr nga deklarimet e tyre në gjykatë dhe tashmë përmes eksperimenteve do të mund të hidhet dritë se kush e qëlloi 49-vjeçarin.
Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë arrest në burg për Hysen, Hygerta dhe Amarildo Metën. Ky i fundit akuzohet vetëm për fshehje të kufomës. Ndërsa 25 vjeçari dhe 19 vjeçarja akuzohen edhe për “vrasje për shkak të mardhënieve familjare”.
Sa i përket motivit, policia ende nuk ka mundur ta përcaktojë atë. Ndërsa vijojnë hetimet për rolin e Blerina Metës, gruas së viktimës në ngjarjen e rëndë, e cila për momentin po hetohet në gjendje të lirë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.