Gazeta Si – Nën dritat e fuqishme të autodromit të Sakhir, Maks Vershtapen dhe Red Bull kanë treguar sërish superioritetin e tyre. Kampioni në fuqi i botës ka arritur ‘pole position’-in e parë të Botërorit 2024.
Pasi kishte krijuar iluzione për të gjithë, ose thuajse për të gjithë, në provat e lira, holandezi ka marrë sërish skenën me kohën më të mirë, kështu që do të niset i pari në Çmimin e Madh të Bahrejnit. Vershtapen regjistroi kohën 1 minutë, 29 sekonda dhe 179 të mijëtat.
Në krah të Red Bull-it numër 1 do të niset Ferrari SF-24 i Sharl Leklerk, që ishte 228 të mijëtat më pas. Në rreshtin e dytë do të niset Xhorxh Rasëll, që tentoi të marrë menjëherë rolin e njeriut-lider te Mercedesi. Kohën e katërt më të mire e arriti Karlos Sainz, 328 të mijëtat larg vendit të parë.
Në rreshtin e tretë do të nisen në Bahrejn Serxho Perez me Red Bull-in e dytë dhe Fernando Alonso me një Aston Martin premtuese. Më pas do të jenë makinat Meklaren të Lando Norris dhe Oskar Piastrit. Në rreshtin e 5-të të nisjes do të jenë Ljuis Hemilton, larg pritshmërive, dhe Niko Hulkenberg.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.