Mjedis

Qytetet po nisin të zhbetonohen

Në një ditë të nxehtë korriku, Katherine Rose mori një tub të fortë metalik dhe e nguli në cepin e një pllake betoni të prerë paraprakisht. Rose, drejtoreshë e komunikimit në një organizatë jofitimprurëse në Portland të shtetit të Oregon në SHBA, ishte ujë në djersë nga vapa.

Por ajo donte ta fitonte atë sfidë. Duke e shtyrë poshtë shufrën metalike, dhe e përdorur si një levë, ajo arriti të largojë mbulesën prej betoni. Tashmë rrezet e diellit mund të binin sërish në tokën poshtë tij. Një përzierje zhavorri dhe pisllëku, por Rose mendon se ajo hapësirë bart shumë potencial.

“Të duket sikur po e çliron tokën nga një pushtues”, thotë ajo, duke kujtuar një aksion të ngjashëm ku ajo dhe rreth 50 vullnetarë hoqën afro 1.670 m2 beton nga trualli i një kishe lokale. “Është realizimi i plotë i një ëndrre, të cilën unë mendoj se e kemi që të gjithë: Rikthimin e natyrës në mesin tonë”- thotë Rose.

Ideja është e thjeshtë: të zëvendësoni sa më shumë hapësirë betoni, asfalti dhe forma të tjera të peizazhit të fortë me bimë dhe hapësirë tokësore. Kjo nismë ka ekzistuar të paktën që nga viti 2008, kur në Portland u themelua organizata “Depave”. Përkrahësit e kësaj lëvizje, thonë se çmontimi i një pjesë të trotuareve lejon që uji të thithet mirë në tokë, gjë që redukton përmbytjet në kohën që bien shira të dendur.

Ky proces shton ndjeshëm gjelbërimin, duke i mbrojtur banorët nga valët e të nxehtit ekstrem. Por kjo mund të përmirësojë edhe shëndetin mendor të njerëzve. Por nëse synohet që ndikimi të jetë i dukshëm, ky proces duhet të zgjerohet përtej një grushti ambientalistësh dhe vullnetarësh.

Me thellimin e krizës së klimës, disa qytete dhe madje edhe rajone të tëra kanë filluar të praktikojnë zhveshjen e pjesë të mëdha të qyteteve nga asfalti dhe betoni, si pjesë e strategjive të tyre të përshtatjes klimatike. Ata thonë se duhet të nisim të shkatërrojmë rrugët tona prej betoni për të krijuar hapësira më të mira për natyrën.

Grupi i Rose thotë se që nga viti 2008, ka hequr më shumë se 33.000 m2 asfalt vetëm në Portland, një sipërfaqe e barabartë me gati 4 fusha futbolli e gjysmë. Ndërkohë Green Venture, një organizatë jofitimprurëse mjedisore me seli në Ontario të Kanada, është frymëzuar pjesërisht nga projektet e Portland.

Giuliana Casimirri, drejtore ekzekutive, shpjegon se si ajo, kolegët e saj dhe vullnetarët kanë filluar të ndërtojnë kopshte në miniaturë të mbushura me pemë në një lagje që më parë ishte vetëm me beton të qytetin Hamilton.

“Më parë, ishte një zonë ku do të përpiqeshe të kaloje sa më shpejt. Tani atje ka vende ku mund të ndalesh apo të bisedosh me dikë. Të ulesh diku dhe lexosh gazetën”, shton ajo.

Në Hamilton, përmbytjet mund të sjellin përzierjen e ujërave të zeza që derdhen në liqenin Ontario, që është burimi i ujit të pijshëm të qytetit. Green Venture dhe organizatat e tjera lokale, janë të prirura të zvogëlojnë shanset që të ndodhë diçka e tillë thotë Casimirri. Dhe e shohin zhbetonimin si një taktikë kyçe.

Studimet kanë treguar se sipërfaqet e papërshkueshme në kopshte, si p.sh ato me beton, e rrisin rrezikun e përmbytjeve në zonat urbane. Rose thotë se përpjekjet e grupit të saj në Portland, nënkuptojnë se afro 24.5 milionë litra ujë shiu devijohen çdo vit nga kanalet tradicionale.

Në Leuven të Belgjikës, vetëm në vitin 2023, Baptist Vlaeminck, që drejton projektin e përshtatjes klimatike të organizatës “Pakti për Jetën”, llogarit se heqja e 6.800 metrave katrorë sipërfaqe betoni lejoi depërtimin e 377.000 milion litrave ujë në tokë.

“Me ndryshimin e klimës, do të rritet edhe rastet me reshje ekstreme. Ndaj zhbetonimi është lëvizja e duhur, madje është një domosdoshmëri”, shton Casimirri. Problemi është nëse kjo kuptohet nga autoritetet përgjegjëse për qytetet dhe planifikimin urban. Në shumicën e pjesëve të botës, zhbetonimi mund të përshkruhet ende si një aktivitet pa shumë peshë.

“Do të kemi nevojë për një shkallë të madhe investimesh”- thotë Thami Croeser nga Qendra për Kërkime Urbane në Melburn, Australi. Sipas tij zhbetonimi dhe shtimi i gjelbërimit, duhet të konceptohet si futje e një lloji të ri të infrastrukturës në një qytet.

Prandaj ai kërkon të njëjtin nivel planifikimi dhe investimi si një hekurudhë e re. Në Evropë, të paktën, disa bashki kanë filluar ta marrin seriozisht zhbetonimin. Për shembull, banorët e Londrës në Mbretërinë e Bashkuar po inkurajohen të prishin kopshtet e tyre.

Edhe Franca po e zyrtarizon këtë proces, thotë Gwendoline Grandin, ekologe me Agjencinë Rajonale për Biodiversitetin. Në nivel kombëtar, qeveria franceze ka vënë në dispozicion 500 milion euro për gjelbërimin urban. Një pjesë e motivimit për këtë plan, është që qytetet të bëhen më të qëndrueshme ndaj valëve të të nxehtit të verës, të cilat vitet e fundit kanë prekur shumë rëndë disa pjesë të Francës.

Disa nga projektet që po zbatohen aktualisht janë të rëndësishme, si një ish-zonë parkimi pranë një pylli në rajonin e Parisit. Është zhbetonuar një sipërfaqe prej 45.000 m2. Me largimin e betonit, toka e sheshtë po riformohet për të hapur gropa që mbledhin ujë, teksa dhe e gjithë zona do të mbillet me pemë.

Burimi: BBC. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë