Ka ndodhur

Shisnin drogë pranë shkollave dhe në zona të ndryshme në Tiranë, arrestohen 4 të rinj

Gazeta Si - Katër persona janë arrestuar në Tiranë në kuadër të operacionit policor të koduar “Tempulli 2”. Policia thotë se dy prej tyre shisnin lëndë narkotike kanabis, në doza, në afërsi të një shkolle në rrugën “Ismail Qemali”.

Ndërkaq dy personat e tjerë e shisnin lëndën narkotike në zonën “Don Bosko”. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan doza me lënde narkotike kanabis, gati për shitje, shuma parash të përfituara nga ky aktivitet i paligjshëm, dhe dy grirëse për lëndën narkotike. Në kuadër të këtij operacioni u proceduan penalisht edhe dy shtetas të tjerë.

“Si rezultat i kontrolleve të ushtruara: Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në afërsi të një shkolle në rrugën “Ismail Qemali”, kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasit E. K., 21 vjeç, dhe S. Sh., 23 vjeç. Gjithashtu proceduan penalisht shtetasit H. P., 21 vjeç, dhe R. D., 20 vjeç, të gjithë banues në Tiranë. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas e siguronin lëndën narkotike në sasi dhe më pas e ndanin në doza, të cilat i shisnin në afërsi të një shkolle, në rrugën “Ismail Qemali”. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në “Don Bosko”, kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasit O. Sh., 30 vjeç, dhe M. H., 27 vjeç, të dy banues në Tiranë. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta dy shtetas, e siguronin lëndën narkotike në sasi dhe më pas e ndanin në doza, të cilat i shisnin në zonën “Don Bosko””, njoftoi policia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë