Njerez

Të varfër dhe të lumtur / Shoqëritë që i sfidojnë tendencat normale

Populli melanez që jeton në rajonet Roviana dhe Gizo të Ishujve Solomon, është një nga më të varfrit në botë. Njerëzit e këtij komuniteti indigjen, kanë një mënyrë jetese primitive, duke i përmbushur nevojat e tyre me peshkim dhe bujqësi.

Herë pas here, ata i shesin produktet e tyre në tregun lokal, për të blerë ushqime të përpunuara apo për të paguar tarifat e shkollimit të fëmijëve të tyre. Lukset e jetës moderne – telefonat inteligjentë, interneti, televizori, dyshekët e teknologjisë së fundit – janë të vështira për t’u gjetur tek ata.

Por pavarësisht kësaj jetese të thjeshtë nga pikëpamja materiale, melanezët shprehen më shumë të kënaqur nga jeta sesa banorët e Finlandës dhe Danimarkës, të cilët renditen rregullisht tituj si më të lumturit në botë.

Një nga gjetjet kryesore në hulumtimin mbi lumturinë, është lidhja midis të ardhurave financiare, pasurisë dhe kënaqësisë nga jeta. Sa më shumë para të ketë dikush, aq më i lumtur priret të jetë. Sa më i pasur një vend, aq më të lumtur janë edhe qytetarët e tij.

Por siç po e mësojnë tani shkencëtarët, disa raste e kundërshtojnë këtë tendencë të gjerë. Njerëzit – shpesh indigjenë – që jetojnë në komunitete të vogla dhe të izoluara, priren të jenë po aq të kënaqur me jetën e tyre se sa njerëzit që jetojnë në vendet më të pasura. Dhe zbulimi i arsyes, mund të jetë i dobishëm për të gjithë.

Pasuria dhe kënaqësia nga jeta

Ishte ky synim, që frymëzoi kërkimet e reja të botuara në “Proceedings of the National Academy of Sciences”. Shkencëtarët nga Universiteti Autonom i Barceloncës në Spanjë dhe Universiteti Mekgill në Kanada, udhëtuan nëpër botë për të anketuar rreth 3.000 anëtarë të 19 shoqërive të varfra dhe të numër të vogël, të vendosura në 18 vende të ndryshme.

Ata vizituan komunitetin Kumbungu në Gana, Laprak në Nepal, Vavatenina në Madagaskar dhe Lonquimay në Kili, mes shumë vendeve të tjera të largëta. Ekspedita shkencore u organizua kryesisht për një projekt më të madh në lidhje me ndryshimet klimatike, por studiuesit vlerësuan gjithashtu lumturinë nga jeta të atyre që vëzhgonin.

“Kënaqësia mesatare e raportuar nga jeta midis 19 shoqërive të anketuara në shkallë të vogël, është 6.8 nga 10, edhe pse shumica e vendeve kanë raportuar të ardhura financiare vjetore prej më pak se 1.000 dollarë amerikanë për person”- raportuan studiuesit.

Vlerat kaq të larta të kënaqësisë nga jeta, shihen zakonisht vetëm në vendet ku PBB-ja për frymë është mbi 40.000 dollarë në vit. Atëherë, çfarë e shpjegon këtë hap drejt një niveli më të lartë lumturie? Antropologët perëndimorë, që kanë vizituar komunitete të vogla, kanë zbuluar se në përgjithësi këta njerëz marrin një kënaqësi të madhe nga aktivitete të thjeshta si dëgjimi i muzikës, shëtitja apo edhe thjesht relaksimi.

Marrëdhëniet me miqtë dhe familjen, si dhe shoqërimi u sjellin gjithashtu shumë gëzim. Po ashtu, anëtarët e komunitetit priren të vlerësojnë shumë kalimin e kohës në natyrë. Studime të shumta, tregojnë se të qenit jashtë shtëpisë në habitate natyrore të pacenuara, përmirëson humorin, shëndetin dhe mirëqenien e përgjithshme.

Një arsye e dukshme dhe e mundshme, se përse gëzimet e thjeshta që sjellin gjëra si ndërveprimi shoqëror dhe qëndrimi në natyrë, luajnë një rol të jashtëzakonshëm në nxitjen e kënaqësisë nga jeta në komunitetet e vogla në numër, është se shumë prej këtyre shoqërive nuk fitojnë shumë para.

Në studimet e mëparshme , anëtarët e të njëjtit ekip të Universiteteve të Barcelonës dhe Mekgill, vizituan shoqëri të tjera të vogla duke krahasuar mirëqenien e tyre kolektive. Ata zbuluan se në komunitetet ku paraja luante një rol më të madh, u zhvendosën faktorët nxitës të raportuar të lumturisë.

Ato kaluan nga shijimi i aktiviteteve eksperimentale në kontakt me natyrën tek dhënia më shumë përparësi e faktorëve socialë dhe ekonomikë. Tek ata, paratë sollën më shumë lumturi sesa kënaqësitë e thjeshta të jetës.

Sipas studiuesve që u morën më ketë studim, çështja kryesore është se kënaqësia nga jeta “nuk kërkon norma të larta të konsumit të material, dhe të lidhura përgjithësisht me të ardhura të larta monetare”. Pasi të plotësohen nevojat themelore të njerëzve si strehimi, ushqimi dhe siguria, gëzimi mund të gjendet tek njerëzit dhe mjedisi përreth nesh.

Burimi:BigThink/Përshtati:Gazetasi.al


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë