Sport

Medalje ari për Shqipërinë në mundje, Dudaev shpallet kampion Europe në Bukuresht

Gazeta Si – Islam Dudaev fiton medaljen e artë për Shqipërinë në Europianin e mundjes, që po zhvillohet në Rumani, në Bukuresht. Mundësi çeçen që garon për flamurin kuqezi ka triumfuar sot në finalen e stilit të lirë, në peshën deri 65 kilogramë.

Dudaev mposhti në finale rusin Gadzhimurad Rashidov, me rezultatin 2-1, duke i dhuruar Shqipërisë medaljen e artë në sportin e mundjes. Me këtë sukses Dudaev ka kapur edhe normën e kualifikimit për në Lojërat Olimpike të Parisit.

Islam Dudaev ne shkallen me te larte te podit. Gazeta Si, 17 shkurt 2024

Shqipëria ka të sigurt edhe një medalje tjetër në Europian, sepse çeçeni tjetër i natyralizuar si shqiptar, Zelimkhan Abakarov, ka shkuar në finale në kategorinë e tij. Ai ka në ‘xhep’ medaljen e argjendtë, por shpresat janë që edhe Abakarov të përsërisë suksesin e Dudaev.

Janë medalje ‘të importuara’ dhe ndoshta nuk shijojnë 100% si ato të sportistëve shqiptarë, megjithatë janë rezultate të rëndësishme në arenën ndërkombëtare, sepse janë arritur nën siglën e flamurit kuqezi. Shqipëria ka tre mundës të huaj të natyralizuar si shqiptarë, çeçenët Dudaev dhe Abakarov, si dhe rusin Valiev.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë