Gazeta Si – Shqipëria siguron medaljet e para në Europianin e peshëngritjes, që po zhvillohet në Bullgari. Erkand Qerimaj dhe Kristi Ramadani kanë fituar të dy tri medalje argjendi në këtë kompeticion.
Ramadani bëri një paraqitje mjaft të mirë në kategorinë deri 81 kilogramë. Ai u rendit i pari në baterinë B në stilin e shkëputjes, ku ngriti 151 kilogramë, dhe po i pari në shtytje me 190 kilogramë. Rrjedhimisht zuri vendin e parë edhe në dygarësh në këtë bateri, me 341 kilogramë.

Erkand Qerimaj dështoi në provën e parë me 152 kilogramë, e ngriti këtë peshë në provën e dytë dhe pastaj ngriti 155 kilogramë në provën e 3-të. Qerimaj e humbi medaljen e artë, sepse italiani Rejes i ngriti më parë 155 kilogramë. Qerimaj fitoi medalje argjendi në stilin e shkëputjes, ndërsa Kristi Ramadani mbeti i 4-ti.
Në shtytje Erkand Qerimaj pati sukses vetëm në një provë dhe zuri vendin e 6-të, me 180 kilogramë. Në dygarësh ai u rendit në vend të 4-t, me 335 kilogramë.
Kristi Ramadani, edhe pse konkurroi në baterinë B, zuri vendin e dytë në shtytje dhe gjithashtu vendin e dytë në dygarësh, me 341 kilogramë. Dy ‘nënkampionë’ Europe për shtangën kuqezi, që i sjell Shqipërisë 3 medalje argjendi.
Briken Calja të enjten nuk shkoi më shumë se vendi i 5-të në garën e tij, ndërkohë që janë edhe 4 peshëngritës të tjerë që do të konkurojnë në Europian.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




