Nga Gazeta ‘SI’ – Rritja e pagës gjatë vitit 2023, nuk është shoqëruar me rritje të produktivitetit duke u kthyer kështu në një rrezik potencial për ekonominë e Shqipërisë.
Sipas analizës së Bankës së Shqipërisë, deri në shtator të vitit të shkuar, nga presioni i rritjes së pagës në privat (14.5%), kosto e punës është rritur në pothuajse 10%. Në kontrast shpjegon BSH, produktiviteti ka rënë, duke shtuar më tej presion në koston e punës.

Pikërisht korrelacioni pagë-produktivitet ishte pasiguria e ekspertëve që kur qeveria Rama njoftoi një reformë për rritjen e pagave. Fillimisht ishte Banka e Shqipërisë që tha se rritja e pagave pa produktivitet rrezikon ekonominë e vendit. Për më tepër, sipas Guvernatorit Gent Sejko, një reformë kombëtare, do të thotë një valë tjetër inflacioni.
Dhe për ekspertët e pavarur të ekonomisë rritja e pagës “me urdhër” nuk gjeneron zhvillim ekonomik sepse nuk po ndodh nga rritja e punësimit apo e produktivitetit.
Sipas raportit të fundit të Bankës Botërore për punën dhe produktivitetin në Shqipëri (2019), tregu i punës ka një problem strukturor. BB thotë se edhe nëse në Shqipëri rritet punësimi, nuk premton rritje të produktivitetit. Kjo sepse, pjesa më e madhe e të punësuarve të rinj janë pjesë e sektorëve me paga dhe kapacitete të ulëta, kryesisht të tilla si shitje me pakicë, restorante, kafene dhe sektori i tekstileve, që janë biznese të vogla ose të mesme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




