Ka ndodhur

Grabiti dyqanin e celularëve në Tiranë, policia identifikon autorin: 5 mijë euro shpërblim për çdo informacion

Gazeta Si – Policia e Tiranës ka identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e dyshuar të grabitjes së dyqanit të celularëve në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë më 9 shkurt 2024.

Sipas policisë, i dyshuari është Afrim Dulaj 43 vjeç, i cili kërcënoi me një armë zjarri punonjësit, duke grabitur dhjetëra celularë.

Ai u identifikua pas hetimeve dhe dokumentimit me prova ligjore dhe në momentin e grabitjes mbante veshur një xhup të kuq dhe ishte i maskuar.

Policia e Tiranës ka publikuar foton e tij dhe ka vendosur shpërblim 5 mijë euro për këdo që jep informacione që çojnë në arrestimin e tij.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të veprimeve për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur më datë 09.02.2024, në një dyqan celularësh, në rrugën “Myslym Shyri”, kanë vijuar hetimet e thelluara për identifikimin e autorit të rastit. Si rezultat i punës intensive hetimore, u bë identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorit të dyshuar, shtetasit Afrim Dulaj, i ditëlindjes 02.11.1980, banues në Tiranë. DVP Tiranë fton qytetarët që të japin informacion për autorin e kësaj ngjarjeje dhe vendos shpërblim 5000 euro, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e tij”, sipas policisë. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë vendos në dispozicion të qytetarëve, numrat e telefonit 112 dhe +355 69 410 0118, duke garantuar anonimatin e plotë të çdo telefonuesi”, – thuhet në njoftimin e policisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë