Gazeta Si – Policia e Elbasanit, ka finalizuar brenda 12 orëve, 2 operacione policore që goditën tentativa për të trafikuar drejt Republikës së Maqedonisë së Veriut lëndë narkotike dhe armë zjarri.
Një 28-vjeçar me iniciale E.A., banues në Fushë Krujë, u arrestua në fshatin Rrajcë të Prrenjasit gjatë operacionit antidrogë “Bags”, teksa po udhëtonte me një automjet tip “Toyota”, brenda të cilit u gjetën dy qese me kanabis.
Sipas policisë, qeset përmbanin rreth 27.3 kg kanabis, sasi e cila dyshohej se do të trafikohej drejt Maqedonisë së Veriut. Në përfundim të veprimeve procedurale u arrestua në flagrancë 28-vjeçari.
Ndërsa, në kuadër të operacionit policor të koduar “Entrance”, janë arrestuar 2 të rinj në Elbasan, pasi në makinën me të cilën ata po udhëtonin u gjet 1 kallashnikov dhe 114 fishekë luftarakë.
Konkretisht, është arrestuar shoferi i makinës tip “Audi”, 21-vjeçari me iniciale S.M. dhe pasagjeri 22-vjeçar me iniciale A.M., të dy banues në Divjakë.
Policia njofton se janë sekuestruar fishekët luftarakë dhe kallashnikove, për të cilat ka dyshime se posedoheshin me qëllim trafikimin drejt RMV-së.
Siç duket dhe në video, agjentët e policisë kanë rrethuar makinën, duke kërcënuar me armë zjarri që drejtuesi të dilte me duart lart.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



