Nga Gazeta 'Si'-Në veri të Kosovës, një grup i quajtur “Mbrojtja Popullore”, ka filluar të shpërndajë fletushka që inkurajojnë qytetarët të mos binden ndaj Policisë së Kosovës.
Fletushkat përmbajnë një sërë udhëzimesh specifike për veprimet që duhet të ndërmerren nëse hasen me forcat e rendit të Kosovës, të cilat grupi i referohet si “Policia e Kurtit”.
Në raportin e rregullt 24 orësh, Policia tha se fletushkat u shpërndan në hyrje të ndërtesave dhe në rrugë të ndryshme.
Zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha se dyshohet se këto fletushka u shpërndan “dje gjatë dhe pas protestës”.
“Nuk ka të dyshimtë e as të arrestuar”, tha Elshani.
Në Mitrovicë të Veriut më 12 shkurt serbët protestuan kundër vendimit të autoriteteve të Kosovës për ndalimin e përdorimit të dinarit serb për pagesa.
Çfarë shkruhet në fletushka?
“Mbrojtja Popullore. Instruksione për rezistencë ndaj forcave të rendit të ‘Policisë së Kurtit’.”
Si duhet vepruar kur të shihni patrullën e policisë së Kurtit?
-Të gjuash me gjëra që i ke në dorë.
Si duhet vepruar kur të shihni shërbyesin civil të Kurtit?
E pështynë, e shanë, dhe në rast se të kundërpërgjigjet injoroje por në qoftë se është i vendosur atëherë bjerini me shuplakë.
Kundërvënie e detyrueshme
Kur policia e Kurtit e arreston ose e keqtrajton serbin detyrimisht i ndihmoni për t'u mbrojtur nga terrori.
Kundërshtimi fillon tani dhe vazhdon!
Mbrojtja popullore”, thuhet në këtë thirrje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.