Kosova

Kurti u drejtohet serbëve në gjuhën e tyre: Rregullorja e re për dinarin nuk e ndalon Serbinë t’ju ndihmojë financiarisht

Nga Gazeta 'Si'-Ashtu sikurse kishte paralajmëruar në seancën e Këshillit te Sigurimit të OKB-së kryeministri i Kosovës Albin Kurti u është drejtuar  komunitetit serb përmes një videoje në Facebook në gjuhën serbe ku sqaron rregulloren e Bankës Qendrore për euron si valutë të vetme për pagesë nga 1 shkurti dhe heqjen e dinarit.

Ai ka bërë me dije qytetarët serbët se Kosova nuk ka ndaluar dinarin, ashtu siç nuk ka ndaluar as valutat e tjera përfshirë dollarin, dhe se rregullorja e re nuk e ndalon Serbinë të ndihmojë financiarisht qytetarët e komunitetit serb në Kosovë.

“Kosova nuk e ndaloi dinarin, ashtu siç nuk e ndaloi as dollarin, as funtën dhe as frangun zviceran. I vetmi ndryshim është se nga 1 shkurti, paratë nuk mund të kalojnë kufirin me thasë, siç nuk mund të bëhet në asnjë shtet demokratik, por mund të vijnë përmes llogarive bankare, të tërhequra në euro. Kjo politikë mbron qytetarët nga kërcënimet e krimit të organizuar, trafikimit me armë dhe pastrimit të parave. Deri më tani, mënyra e futjes dhe transportit të parave përtej kufijve u mundësonte grupeve kriminale të merrnin para të importuara ilegalisht, duke forcuar kështu ndikimin e tyre mbi popullin, duke frikësuar masat dhe duke inkurajuar kriminelët nga kreu i shtetit serb”, deklaroi ndër të tjera Kurti.

Deklarata e plotë e Albin Kurtit

Të dashur qytetarë të Republikës,

Mirëqenia jonë dhe e familjeve tona është forca shtytëse e veprimeve tona, por mbi të gjitha prioriteti i Qeverisë të sigurojë mirëqenie dhe asistenca sociale aty ku nevojitet, për të gjithë qytetarët e saj, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike.

Ju jam drejtuar shumë herë dhe kam theksuar se Qeveria që e drejtoj është Qeveria e të gjithë neve dhe Republika jonë është shtëpia e të gjitha komuniteteve që jetojnë këtu.

Lufta, dhe më pas politika e gabuar e politikanëve që ishin në krye të shtetit, lanë pas popullin pa përkujdesje, të varfër dhe të ekspozuar ndaj organizatave dhe bandave kriminale, derisa kujdeseshin për jetën luksoze të tyre dhe atyre që bashkëpunuan me ta.

Gjatë tre viteve të fundit, ne kemi bërë të pamundurën për të luftuar krimin me hapa të mençur, politikë të bazuar në vendosjen e ligjit dhe sundimin e ligjit. E ngritëm vendin tonë në një nivel më të lartë të demokracisë, që nënkupton edhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe qytetarit, e që u njoh edhe nga organizata prestigjioze Freedom House e më vonë edhe nga Transparency International për luftën kundër korrupsionit, si dhe nga  World Justice Project si rezultat i respektimit dhe sundimit të ligjit.

Kjo vetëm tregon se sa mundemi dhe duhet, së bashku, si një shtet multikulturor dhe multietnik i ndërtuar mbi postulatet e respektimit të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, demokracisë dhe mundësive të barabarta për të gjithë dhe ndaj të gjithëve. Si një popull që është përpjekur për liri me shekuj dhe si shtetësi e të gjithëve që dëshirojnë paqe dhe prosperitet, ne duhet të tregojmë besim tek njëri-tjetri për të ecur përpara fuqishëm e me vendosmëri dhe kështu të mposhtim krimin, urrejtjen fetare, racore dhe etnike, ndarjen e shoqërisë dhe lajmet e rreme, të nevojshme për arritjen e qëllimeve nacionaliste e shoviniste dhe fitoret e ngushta politike.

Të gjithë jemi të vetëdijshëm për fushatën e ngritur mbi baza të rrejshme, kundër institucioneve të pavarura të themeluara me Kushtetutë, siç është Banka Qendrore e Kosovës, për hir të ruajtjes së mënyrave tashmë të konsoliduara të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit duke dërguar para të gatshme në thasë përmes kufijve të Serbisë dhe Kosovës.

Më 1 shkurt të këtij viti, ka hyrë në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore për pagesat me para të gatshme. Kjo rregullore nuk i referohet dinarit dhe as nuk e përmend atë si të tillë. Prandaj, synimi i Bankës Qendrore është formalizimi i pagesës dhe procedurat lidhur me të, për dallim nga përpjekjet për të dëshmuar se qëllimi i saj është heqja e dinarit apo e ndonjë monedhe tjetër në Kosovë. Banka Qendrore tregon qartë se euro është mjeti i vetëm i pagesës në Kosovë dhe se në këtë drejtim, çdo transaksion duhet të jetë në euro si valuta e vetme zyrtare në Kosovë. Rregullorja e Bankës Qendrore nuk e ndalon Serbinë që të ndihmojë financiarisht qytetarët e komunitetit serb në Kosovë. Çdo sugjerim për të kundërtën është propagandë e rreme që synon krijimin e tensioneve etnike. Rregullorja e Bankës Qendrore siguron ligjshmërinë dhe transparencën e parave të importuara në Kosovë, bazuar në Kushtetutën dhe politikën monetare të Bashkimit Evropian.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë