Gazeta Si – Ajo që u dyshua një ditë më parë si një vdekje për shkaqe natyrale, duket se është një krim brenda familjes.
Ndriçim Sokoli, 35 vjeç nga fshati Vilë Bashtovë i Rrogozhinës, është autori i vrasjes së nënës së tij të moshuar.
Siç bën me dije policia përmes një njoftimi zyrtar, vdekja e 75 vjeçares u raportua ditën e djeshme si vdekje natyrale.
Por pas hetimeve dhe ekspertizës mjeko-ligjore, del se ajo ishte abuzuar fizikisht nga i biri, duke marrë dëmtime që i kushtuan jetën. Dyshohet se i riu vuan nga probleme të shëndetit mendor.
“U raportua fillimisht si vdekje natyrale, si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore, zbardhet shkaku i humbjes së jetës së 75-vjeçares. Vrau nënën e tij, nëpërmjet dhunës fizike, arrestohet në flagrancë 35-vjeçari. 35-vjeçari vuante nga sëmundje mendore, – bën me dije policia. – Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për zbardhjen e shkakut të humbjes së jetës së shtetases I. S., 75 vjeçe, e cila u gjet e pajetë më datë 10.02.2024, në banesën ku jetonte me djalin e saj, sqarojmë se:
Në momentet e para, nga këqyrja e jashtme paraprake e trupit të 75-vjeçares, nuk janë konstatuar shenja dhune dhe ngjarja është raportuar si vdekje natyrale. Pas kryerjes së hetimeve të thelluara dhe ekspertizës mjeko-ligjore, është konstatuar se shtetasja I. S. kishte disa orë që kishte humbur jetën. Gjithashtu, rezultoi se djali i saj, shtetasi N. S., i cili vuan nga sëmundje mendore, kishte ushtruar dhunë fizike ndaj 75-vjeçares, dhunë e cila i kishte shkaktuar dëmtime që kishin sjellë si pasojë humbjen e jetës”, – mbyllet njoftimi i policisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




