Kosova

Plani për atentat gjatë vizitës në Shkup / Kryeministri Albin Kurti konfirmon kërcënimet: Individët dhe strukturat i kanë rrënjët në Beograd

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, raportohet se është kërcënuar me vrasje. Vizita e tij në Shkup është shoqëruar me masa të rrepta.

Lajmi u publikua nga RTK. Burime të besueshme nga institucione të sigurisë në Kosovë, kanë thënë për RTK-në, se, menjëherë pas mbledhjes së KS të OKB-së, kanë siguruar të dhëna se nga Serbia ka përpjekje për vrasjen e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurtit në Shkup, ku ka qëndruar mbrëmë.

Kryeministri Kurti, mbrëmë ka arritur në Shkup, ndërsa  paraprakisht janë marrë të gjitha masat e sigurisë, në koordinim me institucionet e sigurisë së Maqedonisë së Veriut.

RTK-së i është thënë se vlerësimet për kërcënimin e jetës së Kurtit kanë qenë serioze, veçmas duke marrë parasysh se ato kanë ardhur nga disa burime të informacionit.

“Ka qenë një kombinacion operativ serb, ku janë gërshetuar mashtrimet mediale me veprimet në terren nga atentatorë të mundshëm të ekstremit serbo-maqedonas, të afërt me Federatën Ruse, por nën kontrollin e institucioneve serbe”, ka thënë burimi për RTK-në.

RTK ka mësuar se tashmë Kryeministri Kurti ka hyrë në Kosovë, dhe bashkëpunimi i institucioneve të sigurisë në mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut ka siguruar në mënyrë profesionale gjithë perimetrin e Kurtit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas pretendimeve se Serbia po përpiqet ta eliminojë fizikisht atë.

Kurti ka thënë se ka parë forca të shumta policore në Shkup gjatë mbledhjes që pati me partitë simotra të socialistëve, pas raportimeve se ka pasur një tentim-atentat ndaj tij.

Të shtunën, pas homazheve te ish-aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mon Balaj dhe Arben Xheladini, që vdiqën gjatë protestës së vitit 2007, Kurti ka thënë se ka mësuar se ka shumë kërcënime nga individë e struktura të cilat lidhen me Beogradin.

“Kam mësuar që ka shumë kërcënime nga individë e struktura të cilat i kanë rrënjët e tyre në Beogradin zyrtar. Sa erdha nga Shkupi, nuk jam ndier i rrezikuar, por kam parë që kishte shumë forca policore që u kujdesen për këtë mbledhje që e mbajtëm, e ku mysafiri special ishte përfaqësuesi i SPD-së gjermane, Lars Klingbeil”, është shprehur Kurti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë